Kërkohet nga top klubet italiane, Arsenali merr vendim për të ardhmen e Riccardo Calafiorit

Mbrojtësi Riccardo Calafiori pritet të mbetet te Arsenali gjatë afatit kalimtar të verës, pavarësisht interesimit në rritje nga disa prej klubeve më të mëdha të Italisë.

Mbrojtësi 23-vjeçar iu bashkua klubit londinez në vitin 2024 në një marrëveshje që raportohet se kapte vlerën mbi 40 milionë funte.

Edhe pse është përballur me disa probleme me lëndime, Calafiori ka arritur të regjistrojë pothuajse 60 paraqitje, duke ofruar fleksibilitet të madh në repartin defensiv pasi mund të luajë si në krahun e majtë të mbrojtjes ashtu edhe si qendërmbrojtës.

Gjigantët e Serie A si Interi, Juventusi, Milani dhe Napoli kanë monitoruar situatën e tij gjatë muajve të fundit. Megjithatë, “teamTALK” raporton se lojtari është plotësisht i përkushtuar për të qëndruar në “Emirates”.

Trajneri Mikel Arteta dhe Drejtori sportiv Andrea Berta e konsiderojnë Calafiorin një pjesë të rëndësishme të skuadrës dhe nuk kanë asnjë plan për të lejuar largimin e tij. Ndërkohë, edhe vetë lojtari thuhet se është i kënaqur me jetën dhe karrierën e tij në veri të Londrës.

Mbetet të shihet se si do të shkojë situata në verë, por plani i Arsenalit pritet të jetë i njëjti që të mos lejojë largime të lojtarëve kryesorë.