“Zero interes” në reklamat, zero gjoba nga institucionet e Maqedonisë

Kompanitë për kredi të shpejta janë paralajmëruar që t’i ndalojnë reklamat manipuluese, përndryshe do të përballen me gjoba. Ky paralajmërim nga Ministria e Financave vijoi pas një inspektimi të shoqërive financiare, gjatë të cilit inspektorët zbuluan më shumë parregullsi, ndër të cilat edhe reklamimin e  kredive me “0 përqind interes”, edhe pse në kontratat me klientët ishin parashikuar shpenzime shtesë, shkruan Radio Evropa e Lirë, njofton Portalb.mk.

Por, pas një shëtitjeje të shkurtër nëpër qendrën e kryeqytetit vihen re tabela reklamuese me aktorë të famshëm që ofrojnë “një shans të shkëlqyer për zero interes” për konsumatorët.

Kjo praktikë e dyqaneve të parave po zgjat prej vitesh dhe gjetjet e inspektorëve për parregullsitë janë të vonuara, thonë ekonomistët. Analisti ekonomik Abil Baush sqaron se shteti duhet të jetë më i rreptë ndaj dyqaneve të kredive të shpejta, të kryejë kontrolle të rregullta, por edhe t’i sanksionojë ato kur bëjnë gabime.

“Shteti duhet të jetë shumë i kujdesshëm me ta. Shteti jo vetëm që duhet të jetë i kujdesshëm me ta, por edhe duhet t’i edukojë qytetarët se si duhet të mendojnë për kreditë”, tha ai.

Analizat e Bankës Popullore tregojnë se në vitet e fundit është vënë re një rritje serioze e kërkesës për para të shpejta. Sipas të dhënave të tyre të fundit të publikuara për vitin 2024, në “dyqanet për para” kanë qarkulluar 169 milionë euro, që është për 12 milionë euro më shumë se në vitin 2023. Për krahasim, në vitin 2021 ky biznes “peshonte” 119 milionë euro.

Një emër në një reklamë tjetër në regjistrin shtetëror

Këtë vit inspektorët kanë vënë re edhe praktika të tjera të dyshimta nga këto kompani, si reklamimi i kredive të shpejta nën marka pa deklaruar qartë se cili institucion financiar e ofron shërbimin. Një “dyqan parash” përdor më shumë uebfaqe dhe emër të ndryshëm për të promovuar kredi të shpejta në ambientet e saj afariste nga ai që qëndron në licencën e biznesit që e ka marrë nga Ministria e Financave. Por, kompanitë e kredive të shpejta nuk sankcionohen, por paralajmërohen për parregullsitë.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, një praktikë tregtare konsiderohet mashtruese nëse reklama nuk përmban informacion kyç që është i rëndësishëm për konsumatorin që ai të marrë një vendim të informuar.

Në vitin 2023 Radio Evropa e Lirë i hulumtoi praktikat të tilla nga “dyqanet e parave”, si dhe cilat kompani dhe pronarë qëndrojnë pas kompanive të kredive të shpejta në vend.

Hulumtimi nxorri në pah se dy të tretat e fitimit në këtë sektor e fitojnë kompani të themeluara me kapital të huaj. Kompanitë e kredive të shpejta janë kompani që operojnë me shpenzime të ulëta, por që arkëtojnë shpenzime dhe marzhe të larta të kredive. Në atë kohë Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) dhe Ministria e Financave njoftuan se po kryheshin kontrolle dhe se kishin gjobitur disa nga kompanitë, por nuk zbuluan më shumë detaje.

Ndërkohë, shkrimet investigative nga IRL dhe BIRN Prizma vunë në dukje një sërë abuzimesh me të dhënat personale të njerëzve që ishin “të bllokuar” me kredi që nuk i kishin kërkuar, pra që njerëz të tjerë i kishin marrë në emrin e tyre.

Procedura e shkurtër për këto kredi të shpejta prej gjysmë ore dhe vetëm me një dokument i bën ato tërheqëse për qytetarët, të cilët shpesh nuk janë të informuar se pas kësaj fshihen shpenzime të larta interesi.

Ndryshe nga bankat, puna e të cilave rregullohet nga Banka Popullore, shoqëritë rregullohen nga Ministria e Financave, kështu që ato japin kredi shumë më lehtë, ndërsa rrezikun e arkëtojnë me shpenzime të larta për kreditë.

Ekonomisti Baush thotë se institucionet shtetërore duhet të jenë më të rrepta në kriteret për miratimin e licencave për këto kompani për kredi të shpejta.

“Kemi një kontrast, nga njëra anë, për të hapur një institucion financiar, një bankë në vendin tonë, ju duhet të ndiqni shumë rregullore, të përmbushni shumë kritere dhe procedura dhe t’i zbatoni ato. Dhe nga ana tjetër, këto kompani marrin një licencë nga Ministria e Financave shumë më lehtë. Ato menjëherë gjejnë një mënyrë si ta bëjnë këtë. Këtu kemi një problem”, tha ai.

Pjesa më e madhe e fitimeve nga ujditë me para të shpejta  në vend përfundojnë në bilancet e kompanive të themeluara me kapital të huaj, treguan atëkohë të dhënat nga llogaritë përfundimtare të këtyre kompanive.

Në tregun në Maqedoni milionerët nga Letonia, Republika Çeke, Estonia dhe kryesisht nga Bullgaria, zotërojnë kompani që ofrojnë kredi jo-bankare, pra dyqane për para.

Sipas të dhënave të fundit nga Regjistri i Ministrisë së Financave, në vendin tonë ka 26 kompani që ofrojnë kredi të shpejta. Nga 12 kompani të themeluara me kapital të huaj, plot shtatë janë në pronësi të biznesmenëve dhe milionerëve bullgarë. Sipas të dhënave nga Banka Popullore, ulja e numrit të kompanive është për shkak të ndryshimeve ligjore nga muaji korrik i vitit 2023, kur u përforcuan rregullat për funksionimin e kompanive financiare dhe kontrolli mbi rreziqet në këtë sektor nga 35 në 27.

Por, të njëjtat të dhëna tregojnë se pavarësisht numrit të reduktuar të kompanive që ofrojnë kredi të shpejta, rritja e kredive të miratuara nga kompanitë financiare arriti në 9,6 përqind.

Rrezik për borxhlinjtë më të cenueshëm

Edhe pse kreditë e shpejta përfaqësojnë një pjesë relativisht të vogël të sistemit financiar, ato mund të krijojnë probleme serioze për një pjesë të popullsisë. Kreditë e shpejta përfaqësojnë rreth 7 përqind të borxhit të përgjithshëm të amvisërive të regjistruara nga Banka Popullore, ndërsa pjesa më e madhe, 92,4 përqind, është mbi bazë të kredive nga bankat.

Nga Banka Popullore paralajmërojnë se rreziku nga këto kompani për kredi të shpejta nuk është sistemik, por mund të jetë i lartë për kategoritë e cenueshme të qytetarëve dhe t’i mbingarkojë ata me borxhe. Indikatorët e rrezikut të kredisë në vitin 2024 janë përmirësuar, por një pjesë e konsiderueshme e kredive ende po paguhen me vonesë.

“Rreziqet për stabilitetin financiar nga këto kompani shoqërohen me rrezikun nga shkaktimi i një mbingarkese me borxhe të segmenteve të caktuara të popullsisë, veçanërisht atyre me të ardhura më të ulëta, gjë që lidhet me qasjen relativisht më të lehtë në financim nga shoqëritë financiare krahasuar me standardet më të rrepta të bankave për marrjen e kredive, por edhe me çmimin e përgjithshëm më të lartë të kredive”, thanë nga Banka Popullore në raport.

Kreditë që i miratojnë shoqëritë financiare janë ende ndër më të shtrenjtat në treg. Të ardhurat që ato i gjenerojnë nga aktivitetet e kredidhënies tejkalojnë 50 përqind të vlerës së marrëveshjeve aktive për kredi, që është shumë herë më shumë se bankat, ku norma mesatare e shpenzimeve të përgjithshme është rreth 7 përqind.