Privohet nga liri një fëmijë, dyshohet se dërgoi kërcënime për vendosje të bombave dhe kryerje të sulmeve në një shkollë në Tetovë

Një adoleshent 15-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka kërcënuar se do të vendoste bomba dhe do të sulmonte një shkollë të mesme në Tetovë, përcjell TV21. Policia kreu bastisje në shtëpinë e familjes, ku gjeti objekte të dyshimta, si armë dhe municione. Policia shton se prindi i fëmijës në fjalë, armët i kishte me leje.

“Më 13.03.2026 rreth orës 13:55, policia e Tetovës, duke vepruar mbi bazën e një urdhër-arresti gjyqësor, kreu kontroll në shtëpinë dhe ambientet ndihmëse të B.M. (44) nga fshati Xhepçishtë. Gjatë kontrollit janë gjetur objekte të cilat dyshohet se lidhen me vepër penale. Gjatë bastisjeve të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale në Tetovë. Në lidhje me rastin, është arrestuar djali i tij 15-vjeçar, për shkak të dyshimeve se ka dërguar kërcënime për vendosje të eksplozivit dhe kryerje të sulmit në një shkollës të mesme në Tetovë”, thonë nga MPB.

Kujtojmë se gjatë sitës së djeshme, për rast të njëjtë, policia privoi nga liria një 18-vjeçar nga rrethina e Tetovës.

“Mbrëmë (12/13.03.2026) në SPB Tetovë, disa profesorë nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë denoncuan se kishin marrë informacione nga prindërit e nxënësve, se M.R. u ka dërguar porosi nxënësve, përkatësisht është kërcënuar se do të vendosë bomba dhe do të kryejë vrasje në shkollë. Menjëherë janë ndërmarrë masa dhe veprime përkatëse nga nëpunësit policorë të SPB Tetovë dhe pas marrjes së urdhrit të gjykatës, është realizuar bastisje në fsh. Pallaticë, rrethina e Tetovës, në shtëpinë dhe lokalet ndihmëse të R.R. (49). Gjatë bastisjes ishin gjetur disa sende që i përkisnin djalit të tij M.R. (18), për të cilat ekziston dyshimi se kanë prejardhje nga vepra penale. M.R. është privuar nga liria”, thuhej në njoftimin e MPB-së.