Të kërkuar për tentim-vrasje e vjedhje të rëndë, dy persona ekstradohen nga Italia në Kosovë

Dy persona të kërkuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës janë ekstraduar nga Italia në Kosovë gjatë datave 12 dhe 13 mars 2026, pas arrestimit të tyre nga autoritetet italiane.

Policia bëri të ditur se ekstradimet u realizuan nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë tjera të policisë dhe institucionet e drejtësisë, ndërsa të dyshuarit ishin me letër rreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it.

Sipas policisë, më 12 mars është ekstraduar i dyshuari me inicialet A.B., i cili kërkohej për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Ndërsa më 13 mars është ekstraduar i dyshuari Xh.K., i cili kërkohej për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

“Të dy ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre Italiane.  Pas ekstradimit, të dyshuarit u dorëzuan njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Prizrenit përkatësisht Mitrovicës”, thotë Policia.