Dembele te Man City? Fabrizio Romano zbulon arsyen pse agjenti i tij u takua me drejtuesit e klubit anglez

Spekulimet për të ardhmen e Ousmane Dembele janë shtuar pas raportimeve se agjenti i tij ka zhvilluar një takim me drejtues të Manchester City, por eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka sqaruar situatën reale.

Ndërsa fituesi i Topit të Artë po tërheq interes nga klubet e Ligës Premier, Romano thekson se nuk ka bisedime konkrete në këtë moment, duke lënë të hapur mundësinë që sulmuesi të vazhdojë të jetë pjesë kyçe e projektit të trajnerit Luis Enrique te Paris Saint‑Germain.

Sipas raportimit të Diario Sport, agjenti i sulmuesit 28-vjeçar, Moussa Sissoko, së fundmi zhvilloi një takim në Madrid me drejtorin sportiv të Manchester Cityt, Hugo Viana.

Edhe pse kontrata e Dembeles me kampionët e Evropës zgjat deri në vitin 2028, përfaqësuesi i tij thuhet se po shqyrton opsione të tjera pasi bisedimet për rinovimin me PSG nuk kanë avancuar pozitivisht. Megjithatë, klubi parisien e konsideron zgjatjen e kontratës së tij një prioritet të madh.

Pavarësisht spekulimeve, nuk ka pasur negociata formale për një transferim në stadiumin ‘Etihad’, dhe drejtuesit e Manchester Cityt janë të vetëdijshëm se PSG nuk do ta lejonte lehtë largimin e një prej yjeve të tij kryesorë.

Mes gjithë zhurmës mediatike, Romano ndërhyri për të qartësuar situatën dhe për të zbutur thashethemet për largimin e lojtarit. Ai konfirmoi se takimi mes Moussa Sissokos dhe Hugo Vianas ka ndodhur, por nuk ka qenë i lidhur me një transferim të mundshëm të Dembeles.

“Takimi mes agjentit Moussa Sissoko dhe Hugo Viana të Manchester Cityt nuk kishte të bënte me një marrëveshje të mundshme për Ousmane Dembele”, shkroi Romano në rrjetet sociale.

Ai shtoi gjithashtu se “nuk ka bisedime apo kontakte në këtë fazë” mes kampionëve të Anglisë dhe kampit të lojtarit, duke lënë të kuptohet se takimi mund të ketë qenë për çështje të tjera biznesi ose për klientë të tjerë të agjentit.