Gazeta serbe në ballinë deklarimet e Milaim Zekës: “Kurti planifikoi vrasjen e Grenellit!”

Disa media serbe, të cilat citojnë deklaratat e gazetarit nga Kosova, Milaim Zeka, kanë raportuar për pretendime të rënda lidhur me gjoja plane të supozuara për një atentat ndaj të dërguarit special të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell.

Lajmin e kanë shpërndarë sot mediat maqedonase si Libertas dhe tjera, duke u bazuar në raportimet e portalit serb proqeveritar Alo.rs, përcjell INA.

Siç thuhet nga ajo që shkruan gazeta dhe duke u bazuar në deklarata të Zekës, pas këtyre planeve të pretenduara do të qëndronte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai citohet të ketë thënë se anëtarë të ashtuquajtur “milici militante të Kurtit” janë regjistruar fshehurazi nga shërbimet e sigurisë gjermane dhe amerikane – BND dhe CIA – ndërsa diskutonin mundësinë e një sulmi ndaj Grenellit.

Zeka ka shtuar se në përgjime janë përmendur edhe persona të lidhur me Kosovo Security Force, të cilët sipas tij janë të afërm me një ministër të Qeverisë së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Anëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilët janë të afërm të një ministri në qeverinë e Kurtit, një ministër nga Partia Vetëvendosje, u kapën gjithashtu në përgjime duke thënë: ‘Kur të vijë Grenell, duhet të organizojmë një atentat ndaj tij’”, raportohet të ketë deklaruar Zeka.

Për momentin, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga ndonjë institucion zyrtar, dhe nuk ka pasur ende reagim nga autoritetet në Kosovë lidhur me këto deklarata.(INA)