Aktivisti dhe përfaqësuesi i komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për marrëdhëniet e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pas editorialit të përbashkët të tyre në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku kërkojnë anëtarësim të Shqipërisë në BE me faza pa të drejtë vetoje.
Bajraktari e konsideron këtë një hap “absurd” dhe thekson se Shqipëria nuk duhet të lidhet politikisht me Serbinë, një vend që ende nuk njeh Kosovën dhe kërcënon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria duhet të ecë drejt Bashkimit Europian si shtet dinjitoz dhe i pavarur, jo e lidhur pas Serbisë – një vend që ende nuk e njeh Kosovën dhe vazhdon ta kërcënojë sigurinë e tërë Ballkanit Perëndimor”.
Ai kujton se marrëdhëniet historike të Shqipërisë me Serbinë, gjatë kohës së Enver Hoxhës dhe Fatos Nanos, nuk kanë sjellë dobi për shqiptarët dhe kanë pasur pasoja negative për Kosovën dhe shqiptarët në rajon.
“Shqipëria nuk i detyrohet asgjë Serbisë. Edi Rama nuk ka asnjë arsye të shkojë dorë për dore me Vuçiqin në Bruksel. Përkundrazi, historia jonë na paralajmëron për rrezikun e afrimit me Beogradin”.
Sipas Bajraktarit, prioriteti i Shqipërisë duhet të jetë përmirësimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit, respektimi i demokracisë dhe i institucioneve të pavarura.
“Integrimi në Bashkimin Europian nuk fitohet me projekte të mjegullta rajonale ‘Rama‑Vuçiq’, por me reforma serioze brenda vendit,” thekson ai.



