“Dorëzohet Kuba”, pranon bisedimet me Amerikën

Presidenti kubanez Miguel Diaz-Canel tha se zyrtarët kanë zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara, ndërsa ishulli përballet me një krizë ekonomike dhe presion të fortë nga Donald Trump

Presidenti tha se bisedimet me SHBA-në u drejtuan prej tij, së bashku me ish-presidentin Raul Castro dhe disa anëtarë të Partisë së tij Komuniste, megjithëse nuk specifikoi se kush mori pjesë në emër të Shteteve të Bashkuara.

“Ka faktorë ndërkombëtarë që i kanë lehtësuar këto bisedime”, tha Diaz-Canel në një video të transmetuar të premten në televizionin kombëtar, duke përshkruar qëllimin e këtyre bisedimeve për të “identifikuar problemet dypalëshe që kanë nevojë për zgjidhje”.

Vetë Trump ka thënë në disa raste se Uashingtoni po zhvillonte bisedime me përfaqësuesit kubanë, por ky është konfirmimi i parë nga Havana.

Diaz-Canel tha: “Ky është një proces shumë i ndjeshëm, të cilit po i afrohemi me përgjegjësi dhe ndjeshmëri të madhe”.

Ndryshe, pas kapjes së presidentit venezuelan Nicolas Maduro në një operacion amerikan në fillim të këtij viti, Trump ndërpreu dërgesat e naftës venezueliane në Kubë dhe kërcënoi të vendoste tarifa për vendet e tjera që shisnin naftë bruto në ishull.

Kjo vetëm sa i përkeqësoi ndërprerjet e shpeshta të energjisë dhe mungesat e karburantit me të cilat përballen kubanezët.

Javën e kaluar, presidenti amerikan tha se Kuba “do të bjerë shumë shpejt” dhe se qeveria dëshiron “të bëjë një marrëveshje”.