Të mërkurën në ora 11 është planifikuar seancë parlamentare në të cilën para deputetëve do të gjendet propozimi i qeverisë për zgjedhjen e gjyqtarit Nenad Saveski si kryeprokuror, transmeton Portalb.mk.
Informacioni në lidhje me seancën është publikuar në ueb-faqen e Parlamentit. Për të zgjedhur një Prokuror Publik të Shtetit kërkohet shumicë absolute në Parlament, pra të paktën 61 vota.
Të martën, Qeveria zgjodhi Nenad Saveskin si kandidat për kryeprokuror. Ai ishte një nga katër kandidatët për të cilët Këshilli i Prokurorëve Publikë dha mendim pozitiv në shkurt të këtij viti. Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva deklaroi pas seancës se vendimi u mor pas një diskutimi konstruktiv në të cilin u morën në konsideratë të gjitha aspektet e kandidatëve – nga përvoja profesionale deri te integriteti personal.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dy ditë më parë se nuk e njeh personalisht gjyqtarin Nenad Saveski.
Kujtojmë se, Këshilli i Prokurorëve, në mbledhjen e 17 shkurtit 2026 shqyrtoi kandidaturat e pesë kandidatëve për pozicionin më të lartë të prokurorit publik – prokuror publik shtetëror. Katër kandidatë për prokuror publik republikan, prokurorja në detyrë Anita Topolova Isajlovska, prokurorët Lidija Raiçeviq dhe Lençe Ristoska, dhe gjyqtari Nenad Saveski, morën mendim pozitiv nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Ndërkaq, për kandidatin Vlladimir Pançevski, dikur i dënuar për keqpërdorim të sistemit AKMIS, Këshilli i Prokurorëve konkludoi se nuk i plotëson kushtet ligjore, sepse nuk ka përvojë pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh, që është parakusht për t’u vlerësuar si kandidat për pozicionin e Ljupço Kocevskit të shkarkuar. Me këtë, këshilli ia kaloi topin Qeverisë për prokuror të ri publik republikan.
Zgjedhja e kryeprokurorit të ri vjen pasi, më 29 korrik, Parlamenti votoi për interpelancë në lidhje me punën e Ljupço Kocevskit, dhe ai deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen nga posti i tij, por do t’i përkushtohej edhe më shumë punës së tij. Pas tragjedisë në Koçani, kryeministri Hristijan Mickoski kishte njoftuar për pezullimin e procedurës për shkarkimin e Kocevskit, duke pasur parasysh hetimin e gjerë që po zhvillohet në lidhje me rastin.
Por, më 16 dhjetor 2025, Kuvendi i Maqedonisë vendosi ndërprerjen e funksionit të Prokurorit Publik të Maqedonisë për Ljupço Kocevskin. Ai paraqiti dorëheqje të parevokueshme në ditën kur Kuvendi do të shqyrtonte propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij. Deri në zgjedhjen e prokurorit të ri shtetëror, pozicionin e mban prokurorja Anita Topolova Isajlovska, e cila u zgjodh më 22 dhjetor nga Këshilli i Prokurorëve Publikë.





