Çmimet globale të naftës kanë mbetur mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet energjetike përballen me pasiguri të madhe për shkak të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar, u rrit me më shumë se 9 për qind dhe arriti rreth 101 dollarë për fuçi, pasi investitorët po përgatiten për javë apo muaj të mundshëm trazirash në tregjet energjetike.
Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me situatën në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, nga ku kalon rreth një e pesta e furnizimit global. Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka paralajmëruar se presioni ndaj trafikut detar në këtë ngushticë do të vazhdojë si pjesë e strategjisë së Teheranit në luftë.
Sipas Qendrës Britanike për Operacione Tregtare Detare, trafiku në këtë korridor detar është pothuajse ndalur. Aktualisht kalojnë jo më shumë se pesë anije në ditë, krahasuar me rreth 138 kalime ditore para fillimit të konfliktit më 28 shkurt.
Që nga fillimi i luftës, të paktën 16 anije tregtare janë sulmuar në rajon, ndërsa disa prej tyre janë goditur drejtpërdrejt nga forcat iraniane.
Përpjekjet për të stabilizuar tregun deri tani kanë pasur efekt të kufizuar. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka njoftuar lirimin e 400 milionë fuçive naftë nga rezervat emergjente, ndërsa SHBA ka lejuar përkohësisht blerjen e naftës ruse që ndodhej në det. Megjithatë, çmimet mbeten rreth 40 për qind më të larta se para nisjes së luftës./Klankosova.tv



