Turqia paralajmëron Greqinë kundër shfrytëzimit të krizës rajonale

Turqia ka lëshuar një paralajmërim për Greqinë pas raportimeve për aktivitete ushtarake greke në Egjeun Lindor, duke thënë se Athina zyrtare po shkel statusin e demilitarizuar të ishujve sipas traktateve të paqes të Lozanës së vitit 1923 dhe Parisit të vitit 1947.

“Iniciativat e Greqisë që shkelin statusin e ishujve në kundërshtim me traktatet e përfunduara, krijojnë paligjshmëri dhe dëmtojnë marrëdhëniet tona fqinje dhe aleate”, ka deklaruar ministria e Mbrojtjes Kombëtare në një konferencë javore për shtyp të enjten.

“Ne nuk i pranojmë iniciativat e Greqisë që nuk i shërbejnë qëllimit të vërtetë dhe synojnë t’i shndërrojnë krizat në rajonin tonë, në mundësi”, ka thënë më tej ministria.

Turqia gjithashtu ka vendosur një sistem mbrojtës raketor Patriot të NATO-s në Malatya dhe ka stacionuar gjashtë avionë luftarakë F-16 së bashku me sisteme mbrojtëse ajrore në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), ndërsa pasojat e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit po vazhdojnë të prekin edhe territorin turk.

Zëdhënësi i ministrisë, admirali Zeki Akturk, ka konfirmuar se një sistem Patriot i caktuar nga Komanda Ajrore Aleate e NATO-s (AIRCOM) në Ramstein të Gjermanisë, po vendoset në Malatya si një element plotësues i arkitekturës së mbrojtjes ajrore të Turqisë.

Akturk ka thënë më tej se një raketë e dytë balistike iraniane është kapur më 9 mars pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore turke, teksa mbeturinat kishin rënë në tokë të zbrazët si në Gaziantep ashtu edhe në Diyarbakir, konfirmimi i parë se fragmente arritën gjithashtu në Diyarbakir.

Nuk është raportuar për viktima ose lëndime në asnjërën vendndodhje.