Ukraina po përpiqet të shfrytëzojë përvojën e saj të krijuar nga lufta, në prodhimin e dronëve pengues me kosto të ulët për të fituar mbështetje ushtarake nga SHBA-ja dhe shtetet e Gjirit. Këta dronë përdoren për të rrëzuar dronët iranianë “Shahed”, dhe janë dukshëm më të lirë se raketat amerikane “Patriot”. Kievi shpreson të ofrojë teknologji dhe ekspertizë në këmbim të armëve më të avancuara, megjithëse eksporti i armëve mbetet ende i paqartë ligjërisht
Kur lufta në Lindjen e Mesme nisi t’i prekte stoqet e raketave amerikane, Ukraina nisi të shpresonte se mund të marrë vëmendjen me një inovacion ushtarak – drona pengues me kosto të ulët që janë projektuar për të rrëzuar dronët sulmues rusë. Ajo po mendon t’i shfrytëzojë këto pajisje si levë gjeopolitike.
Tani një nga prodhuesit më të mëdhenj të botës për dronët pengues, Ukraina po e ofron këtë ekspertizë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet partnere të Gjirit për luftën në Lindjen e Mesme. Ajo po shpreson se kjo do t’i kthehet në këmbim të armëve të nivelit më të ri që nuk mund t’i prodhojë vetë.
Kur Rusia e nisi pushtimin në shkallë të plotë katër vjet më parë, industria e brendshme e armatimit në Ukrainë ishte e dobët. Nga detyrimi për të shpikur për të mbijetuar, ajo ka ndërtuar shpejt një sektor të mbrojtjes të bazuar në dronët me kosto të ulët – disa prej tyre të dizajnuar specifikisht për t’i ndalur dronët e stilit iranian “Shaed”, të cilët Rusia po i lanson me qindra.
SHBA-ja së fundmi ka bërë kërkesë për “përkrahje të veçantë” kundër “Shahedave” të Iranit, duke bërë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të urdhëronte dislokimin e pajisjeve dhe ekspertëve ukrainas, megjithëse detajet mbeten të klasifikuara.
Kur nisi lufta në Ukrainë më 2022, Kievi ndaloi eksportimin e armëve. Por tani prodhuesit ukrainas të penguesve të dronëve kanë thënë se po marrin interesim nga SHBA-ja dhe shtetet e Gjirit.
Përderisa shtete të tjera mund të prodhojnë drona pengues, Ukraina ka sistem të cilin tashmë e ka testuar në luftë, ka thënë Oleh Katkov, kryeredaktor i “Defense Express”. “Ka dallim të madh në mes të sistemit të dëshmuar në luftë të vërtetë dhe diçkaje që të tjerët vetëm e premtojnë për ta zhvilluar. Është sikur të shesësh shtëpi dhe jo vetëm tullat”, ka thënë Katkov.
Nëse bashkëpunimi me partnerët ka sukses, Ukraina do të ishte një aktor i ri në botën e luftërave moderne, edhe pse mbetet e paqartë nëse industria e saj mund të arrijë këtë ambicie apo të depërtojë në tregje të reja botërore pa e dëmtuar industrinë e vet të mbrojtjes.
Problemi me “Patriot”
Rritja e interesimit nga Lindja e Mesme vjen kur shtetet e Gjirit Persik po i shpenzojnë rezervat e tyre të raketave të shtrenjta “Patriot”, që i përdornin për të rrëzuar raketat iraniane “Shahed”, shumë më të lira.
Një dron iranian “Shahed” kushton rreth 30 mijë dollarë, ndërsa një raketë penguese për sistemin amerikan “Patriot” kushton miliona.
Kompania “Lockheed Martin” ka thënë në një deklaratë se ka prodhuar rekord prej 600 penguesve “PAC-3 MSE” për “Patriotët” në të gjithë vitin 2026. E Zelensky ka pretenduar të enjten se vendet e Lindjes së Mesme i shpenzuan mbi 800 raketa të tilla në vetëm tri ditë – më shumë sesa i ka mbajtur Ukraina në rezerva për luftën katërvjeçare.
Për t’i penguar “Shahedët”, Kievi ka zhvilluar dronë pengues me çmim prej vetëm 1000 deri 2000 dollarë, duke i zhvilluar sistemet nga prototipa në prodhues në masë për vetëm pak muaj më 2025.
Por Ukraina kurrë nuk ka zhvilluar mbrojtje kundër raketave balistike. Prandaj, sigurimi i raketave “Patriot” mbetet sfidë jetë a vdekje për Kievin.
Përballë kësaj, Zelensky ka propozuar “shkëmbime” me partnerët. “Mesazhi ynë është shumë i thjeshtë”, ka thënë ai. “Do të donim që të merrnim në heshtje raketat ‘Patriot’ që na mungojnë dhe t’u japim një numër të caktuar të penguesve”.
Pengesat në eksportet ukrainase
Pavarësisht optimizmit të Zelenskyt, disa analistë kanë paralajmëruar se hyrja në tregun botëror të armëve nuk është thjesht një kontratë.
“Tregtimi i armëve është çështje jashtëzakonisht delikate dhe e ndjeshme”, ka thënë Yevhen Mahda, drejtor ekzekutiv i Institutit të Politikës Botërore, me bazë në Kiev. Është treg në të cilin SHBA-ja dominon, ka thënë ai, duke shtuar se është naivitet të pritet që tregjet të hapen thjesht sepse Ukraina ka diçka për të ofruar. “Kërkohet lojë diplomatike e kalkuluar dhe e vështirë”, ka thënë ai.
Zyrtarët ukrainas vetëm së voni kanë nisur ta diskutojnë në mënyrë aktive kalimin nga ngrirja e eksporteve të armëve në kohë lufte në një treg të rregulluar nga shteti. Megjithatë, mbetet e paqartë se kur ose se si do të bëhej një sistem i tillë.
“Na duhen më shumë sesa thjesht deklarata presidenciale. Na duhen veprime”, ka thënë Mahda. “Si mund të flasim për eksporte nëse ne zyrtarisht nuk po shesim asgjë ende?”
SHBA-ja dhe shtetet e Gjirit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Arabia Saudite dhe Katari, kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për dronët pengues të prodhuar në Ukrainë, siç kanë bërë të ditur tre prodhues ukrainas të armëve.

As nga Shtetet e Bashkuara e as nga shtetet e Gjirit nuk ka pasur përgjigje të menjëhershme për t’i komentuar pretendimet.
“Jemi të gatshëm që t’i ndajmë me të tjerët, dhe ne duam që t’i ndajmë me të tjerët”, ka thënë Marco Kushnir, zëdhënës për “General Cherry”, prodhues ukrainas i armëve që prodhon një prej dronëve më të mirë pengues e efikas në luftën ndaj “Shahedëve”.
Kushnir ka thënë se vendimi varet kryekëput nga Qeveria dhe Zelensky, porse kompania dëshiron t’u ndihmojë partnerëve dhe se është e gatshme që të bëjë kështu brenda pak ditësh. Ai ka shtuar se kompania e ka kapacitetin që të prodhojë “dhjetëra mijëra” të dronëve pengues brenda muajit.
Ukraina aktualisht ka tepricë të dronëve pengues, dhe prodhuesit kanë thënë se mund të prodhojnë dhjetëra mijëra më shumë pa e penguar fare punën e sistemit të mbrojtjes së shtetit. Sfida më e madhe, sipas tyre, është trajnimi i ekipeve dhe integrimi i dronëve brenda sistemeve të radarit që mund të detektojnë caqe në rreze të gjatë.
Disa kompani ukrainase tashmë kanë sisteme efektive në terren. Droni pengues “Bullet” i kompanisë “General Cherry”, i zhvilluar në fund të 2025-tës, ka rrëzuar disa qindra dronë “Shahed” sipas Kushnirit. Një tjetër model “P1-Sun”, i printuar 3D nga kompania “Skyfall”, kushton rreth 1.000 dollarë dhe mund të arrijë shpejtësi prej më shumë se 300 kilometrash për orë, ndërsa kapaciteti i prodhimit mund të arrijë deri në 50 mijë dronë për muaj, sipas një zëdhënësi të kompanisë.
Ekspertiza njerëzore mbetet kyç
Por përderisa korniza ligjore për pajisjet harduerike mbetet në harresë, aseti më i çmueshëm i Ukrainës është ekspertiza njerëzore. Zelensky në disa raste ka përsëritur se shteti i tij është i gatshëm të dërgojë instruktorë për të mësuar partnerët se si t’i përdorin dronët pengues.
Furnizimi i dronëve nuk do të jetë problem, ka thënë Andrii Taganskyi, drejtor i sektorit për kamera në “Odd Systems”, që përgatit kamerat për dronët pengues të prodhuar nga kompania tjetër ukrainase, “Wild Hornets”. Por trajnimi i ekipeve të huaja për të operuar sistemin dhe për t’i përshtatur taktikat, do të jetë thelbësor, sipas tij.
Dronat pengues nuk janë produkt i vetëm dhe duhet të integrohen në një sistem më të gjerë të radarëve që mund të detektojnë dhe t’i përcjellin caqet që po vijnë, ka thënë Taganskyi. Përderisa disa modele janë pjesërisht të automatizuara, prodhuesit kanë thënë se ekipeve u duhen stërvitje për t’i shfrytëzuar si duhet.
“Kjo është një vjegëz e cila kërkon stërvitje”, ka thënë Oleh Katkov. “Dhe ekspertiza e vërtetë dhe e dëshmuar – jo vetëm në letër – ekziston vetëm në Ukrainë”.
Gatishmëria e Kievit për t’i dërguar specialistët e vet jashtë shtetit konsiderohet sakrificë e madhe strategjike, sepse mund të ndikojë në kapacitetet e Ukrainës në mbrojtjen ajrore. Nën sulmet e vazhdueshme të dronëve nga Rusia, çdo ushtar i stërvitur është aset kyç.
“Ne nuk kemi tepri të personelit ushtarak në vijën e frontit”, ka thënë Katkov. “Gjithsesi, ka mirëkuptim të qartë se përfitimet e një bashkëpunimi të tillë do të mund t’i tejkalonin rreziqet”.



