Serbia provokon Ballkanin me armatimin rus e kinez – eksperti i sigurisë paralajmëron rreziqe për stabilitetin rajonal!

Sipas të dhënave të Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI), Serbia në vitet e fundit është furnizuar kryesisht me armë nga Rusia dhe Kina.

Në të njëjtën kohë, Serbia ka përdorur edhe zhvillimet rajonale për të përforcuar narrativën se është e rrezikuar.

Një shembull është reagimi ndaj bashkëpunimit të sigurisë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilin zyrtarët serbë e kanë paraqitur si kërcënim për Serbinë.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Arben Dashevci.

Eksperti i sigurisë thotë se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina tregon orientimin e saj strategjik dhe mënyrën si po e pozicionon veten në sigurinë e Ballkanit, jo thjesht një tregti normale armësh.

Image

Arben Dashevci

Foto galeri

Ai gjithashtu thekson se Serbia po e paraqet bashkëpunimin e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si kërcënim për të justifikuar rritjen e fuqisë ushtarake dhe për të mobilizuar nacionalizmin në politikën e brendshme.

Nga perspektiva e studimeve bashkëkohore të sigurisë, zhvillimet e fundit në politikën e armatimit të Serbia dhe orientimi i saj i vazhdueshëm drejt furnizimeve ushtarake nga Rusia dhe Kina nuk mund të shihen thjesht si transaksione të zakonshme të tregtisë së armëve. Në fakt, ato përfaqësojnë një indikator të rëndësishëm të orientimit strategjik të Beogradit dhe të mënyrës se si ky shtet po e koncepton rolin e tij në arkitekturën e sigurisë në Ballkan. Të dhënat e publikuara nga Instituti (SIPRI) tregojnë qartë se Serbia në vitet e fundit ka rritur ndjeshëm investimet në modernizimin e forcave të saj të armatosura, duke u mbështetur në partneritete me aktorë globalë që shpesh ndodhen në kundërshti të hapur strategjike me sistemin euro-atlantik të sigurisë.

Studimet e sigurisë ndërkombëtare tregojnë se shtetet nuk e ndërtojnë gjithmonë politikën e tyre të armatimit vetëm mbi bazën e kërcënimeve reale ushtarake. Shpeshherë, këto politika ndërtohen edhe mbi narrativa të prodhuara politikisht, të cilat synojnë të krijojnë perceptime të rrezikut në opinionin publik dhe të legjitimojnë rritjen e kapaciteteve ushtarake. Në këtë kontekst, reagimi i autoriteteve serbe ndaj bashkëpunimit të sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacis duhet parë përmes prizmit të teorive klasike të studimeve të sigurisë, të cilat theksojnë se perceptimi i kërcënimit shpesh instrumentalizohet për qëllime të politikës së brendshme dhe për mobilizim nacionalist gjë ëë Serbia është duke përdor”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë thotë se pretendimi i Serbisë se bashkëpunimi mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është kërcënim është më shumë propagandë politike për të justifikuar militarizimin e saj.

Ai shton se balanca reale e sigurisë në Ballkan garantohet nga NATO dhe KFOR-i, prandaj rritja e armatimit të Serbisë nuk e ndryshon realisht fuqinë në rajon, por mund të krijojë tensione për shkak të “dilemës së sigurisë”.

Në këtë kuptim, narrativa që Serbia përpiqet të ndërtojë se bashkëpunimi rajonal i këtyre shteteve përbën një kërcënim strategjik për të, është në thelb një konstrukt politik dhe propagandistik që synon të justifikojë militarizimin gradual të politikës së saj të sigurisë. Në realitet, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është një proces normal i koordinimit ndërmjet shteteve që ndajnë interesa të përbashkëta(gjeopolitike dhe gjeostrategjike) për stabilitet rajonal dhe për integrim në strukturat euro-atlantike.

Nëse analizojmë më thellë arkitekturën reale të sigurisë në Ballkan, bëhet e qartë se balanca strategjike e rajonit dominohet nga prania dhe garancitë e NATO, si dhe nga mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë që veprojnë në terren, përfshirë misionin e KFOR në Kosovë. Kjo prani krijon një strukturë të fuqishme parandalimi strategjik që e bën pothuajse të pamundur çdo aventurë ushtarake në rajon. Për këtë arsye, edhe pse Serbia mund të investojë në sisteme të reja armësh apo të rrisë buxhetin e saj ushtarak, kjo nuk përkthehet automatikisht në një ndryshim real të balancës së fuqisë në Ballkan.

Në fakt, një nga konceptet më të rëndësishme të studimeve të sigurisë është ajo që njihet si “dilema e sigurisë”, ku veprimet e një shteti për të rritur sigurinë e vet interpretohen nga të tjerët si kërcënim, duke prodhuar kështu një spirale të re armatimi dhe tensioni. Retorika që përdor Serbia në raport me Kosovën dhe bashkëpunimin rajonal shpesh i kontribon pikërisht këtij mekanizmi të rrezikshëm, duke krijuar perceptime të panevojshme të rrezikut dhe duke e militarizuar diskursin politik në rajon”, shpjegon eksperti i sigurisë.

Eksperti shpjegon se bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë dhe Kinën është pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike për të rritur ndikimin e tyre në Ballkan.

Ai thekson se këto vende mund të përdorin tensionet në rajon për të sfiduar ndikimin e Perëndimit dhe për të dobësuar integrimin euro-atlantik të vendeve të Ballkanit.

Një dimension tjetër i rëndësishëm që duhet theksuar është fakti se bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë dhe Kinën nuk është vetëm çështje e furnizimeve ushtarake, por pjesë e një dinamike më të gjerë gjeopolitike. Rusia tradicionalisht e ka parë Ballkanin si një hapësirë strategjike ku mund të sfidojë ndikimin e Perëndimit dhe të dobësojë kohezionin e NATO-s dhe të Unijonit Evropian.

Në këtë kontekst, çdo tension i ri në Ballkan mund të shfrytëzohet nga Rusia si mjet për të krijuar presion politik dhe diplomatik ndaj Perëndimit.

Nga ana tjetër, Kina po rrit gradualisht praninë e saj strategjike përmes teknologjisë së sigurisë, sistemeve të mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit ushtarak me Serbinë. Kjo prani nuk është vetëm ekonomike apo teknologjike, por gjithnjë e më shumë lidhet edhe me dimensione të sigurisë dhe të ndikimit strategjik në rajon. Përmes këtyre instrumenteve, Kina dhe Rusia përpiqen të krijojnë hapësira të reja ndikimi në Ballkan dhe të sfidojnë modelin e integrimit euro-atlantik që shumica e vendeve të rajonit po ndjekin”, potencoi Dashevci.

Në fund, ai nënvizon e për Kosovën rreziku kryesor nuk është një luftë e drejtpërdrejtë, sepse prania e NATO-s dhe KFOR-it e bën atë shumë të pamundur, por më shumë forma hibride të presionit dhe destabilizimit.

Ai përfundon se stabiliteti në Ballkan nuk arrihet me armatim dhe retorikë nacionaliste, por me bashkëpunim rajonal dhe integrim në strukturat euro-atlantike.

“Sa i përket Kosovës, studimet dhe hulumtimet e sigurisë sugjerojnë se rreziku kryesor nuk qëndron domosdoshmërisht në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak klasik.

Prania e NATO-s dhe e KFOR-it krijon një nivel të lartë parandalimi strategjik që e bën një skenar të tillë jashtëzakonisht të pamundur. Megjithatë, rreziqet mund të shfaqen në forma më komplekse dhe më të sofistikuara, si operacionet hibride, presioni diplomatik, lufta informative dhe përpjekjet për destabilizim politik dhe institucional.

Prandaj, studimet bashkëkohore të sigurisë tregojnë qartë se: gara e armatimit dhe ndërtimi i narrativave të kërcënimit nuk prodhojnë stabilitet afatgjatë. Përkundrazi, ato rrezikojnë të krijojnë një klimë të re pasigurie dhe tensioni në rajon. Stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkan nuk mund të ndërtohet mbi militarizimin e diskursit politik apo mbi retorikën nacionaliste, por mbi bashkëpunimin rajonal, transparencën në politikat e sigurisë dhe integrimin e plotë në arkitekturën euro-atlantike të sigurisë. Në këtë kuptim, çdo përpjekje për ta paraqitur bashkëpunimin rajonal si kërcënim duhet parë me skepticizëm, sepse më shumë reflekton strategji politike të brendshme sesa realitete të mirëfillta strategjike”, përfundoi eksperti i sigurisë, Arben Dashevci për “Bota sot”.