Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë kërkuar Izraelit të ndalë rritjen e dhunës nga kolonët hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, që ka shpërthyer që prej fillimit të luftës së vendit me Iranin.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjashtë palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve nga kolonët në Bregun Perëndimor gjatë 11 ditëve të fundit.
Mbretëria e Bashkuar tha se ishte e tronditur nga vrasjet, ndërsa Bashkimi Evropian deklaroi se niveli i dhunës së kolonëve është i papranueshëm. Të dyja palët i kërkuan autoriteteve izraelite të ndërmarrin veprime për të siguruar përgjegjësi për autorët dhe për të parandaluar sulme të tjera.
Ushtria izraelite dënoi dhunën dhe tha se po punon për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës.
Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime ku jetojnë rreth 700 mijë hebrenj që nga pushtimi i Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor – territore që palestinezët i duan, së bashku me Rripin e Gazës, për një shtet të ardhshëm palestinez- gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Rreth 3.3 milionë palestinezë jetojnë në të njëjtën zonë.
Vendbanimet konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Sulmet e fundit
Të dielën, tre palestinezë u vranë gjatë një sulmi të kolonëve në fshatin palestinez Khirbet Abu Falah, në verilindje të Ramallah.
Dëshmitarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se dhjetëra kolonë bastisën fshatin para agimit. Kur banorët u përballën me ta, duke përfshirë edhe hedhjen e gurëve, kolonë të armatosur mbërritën dhe hapën zjarr.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se dy banorë, Thaer Hamayel (24 vjeç) dhe kushëriri i tij Farea Hamayel (57 vjeç), u qëlluan në kokë dhe u vranë.
Një banor tjetër, Mohammed Murra (55 vjeç), pësoi arrest kardiak dhe vdiq në spital pasi kishte thithur gaz lotsjellës të hedhur nga forcat izraelite të sigurisë, sipas mjekëve.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se forcat e sigurisë u dërguan në zonë pas raportimeve për palestinezë të sulmuar nga civilë izraelitë pranë shtëpive të tyre dhe se ndërhynë për të shpërndarë të përfshirët. Ushtria shtoi se është hapur një hetim penal.
Sulm tjetër në Hebron
Të shtunën, Amir Shanaran (28 vjeç) u qëllua për vdekje nga kolonët dhe vëllai i tij Khaled Shanaran (34 vjeç) u plagos rëndë në tokën e tyre në Wadi al-Rakhim, pranë Susya, në kodrat jugore të Hebron-it, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Kreu i këshillit të fshatit Tuwani i tha agjencisë së lajmeve AFP se kolonët hynë në shtëpitë palestineze në zonë dhe sulmuan familjen Shanaran.
IDF tha se ushtarë dhe policë u dërguan në vendngjarje pas raportimeve për një përplasje të dhunshme mes izraelitëve dhe palestinezëve. Informacionet fillestare treguan se një ushtar rezervist kishte hapur zjarr, por nuk u identifikua si kolon.
Vrasje të tjera dhe dhjetëra incidente
Të hënën e kaluar, kolonët qëlluan dhe vranë dy vëllezër, Mohammed Azem (51 vjeç) dhe Fahim Azem (47 vjeç), gjatë një sulmi në fshatin Qaryut, midis Ramallahut dhe Nablus, sipas organizatës izraelite për të drejtat e njeriut, B’Tselem.
Një tjetër organizatë izraelite për të drejtat e njeriut, Yesh Din, tha se 109 incidente të veçanta dhune nga kolonët (përfshirë të shtëna me armë, sulme fizike, dëmtim pronash dhe kërcënime) janë raportuar në 62 komunitete palestineze gjatë 10 ditëve të para të luftës me Iranin.
“Këto sulme kriminale dhe vdekjeprurëse kryhen me mbështetjen e shtetit dhe pothuajse me pandëshkueshmëri të plotë, duke avancuar objektivin e Izraelit për të zhvendosur me forcë palestinezët dhe për të aneksuar Bregun Perëndimor,” paralajmëroi Yesh Din, citon BBC.
Reagime politike dhe ndërkombëtare
Zëvendëspresidenti i Autoritetit Palestinez, Hussein al-Sheikh, tha të dielën se sulmet përbëjnë “një përshkallëzim të madh të terrorizmit të kolonëve” dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë masa serioze ndëshkuese kundër autorëve.
Komandanti i Komandës Qendrore të IDF-së, Avi Bluth, tha se ushtria i sheh incidentet “me seriozitetin maksimal”.
“Nuk do të ketë tolerancë për civilët që marrin ligjin në duart e tyre,” tha ai. “Po punojmë me të gjitha agjencitë e sigurisë për të gjetur shpejt përgjegjësit dhe për t’i sjellë para drejtësisë.”
Ai shtoi se, ndërsa ushtria izraelite po godet armiqtë e saj, Iranin dhe Hezbollah, dhuna e brendshme nuk duhet të minojë rendin ligjor dhe sigurinë e rajonit.
Thirrje për veprim
Konsullata e përgjithshme britanike në Jeruzalem tha se Mbretëria e Bashkuar i kërkon ushtrisë izraelite që deklaratat e saj të shoqërohen me “hetime të shpejta, të plota dhe përgjegjësi për autorët.”
“Dhuna e kolonëve që terrorizon komunitetet duhet të ndalet,” thuhej në deklaratë.
Ndërkohë, një zëdhënës i Bashkimit Evropian paralajmëroi se pandëshkueshmëria për këto akte rrezikon të provokojë më shumë dhunë, dhe i bëri thirrje qeverisë izraelite të respektojë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur popullsinë palestineze në territoret e pushtuara.



