Klevis Hoxhaj
Biznesmeni shqiptar Samir Mane vijon të jetë pjesë e listës globale të miliarderëve të revistës Forbes, ndërsa pasuria e tij ka shënuar rritje sipas përditësimit më të fundit.
Sipas të dhënave të publikuara më 11 mars, pasuria e themeluesit dhe presidentit të BALFIN Group vlerësohet në rreth 1.8 miliardë dollarë, duke e renditur atë në vendin 2233 në botë. Në dhjetor 2025, Forbes e vlerësonte pasurinë e tij në 1.5 miliardë dollarë. BALFIN Group është një konglomerat investimesh me bazë në Tiranë, që përfshin qendra tregtare, rrjete dyqanesh elektronikë dhe lodrash në Ballkanin Perëndimor, si dhe një bankë dhe projekte të pasurive të paluajtshme luksoze në Shqipëri. Grupi ka gjithashtu investime në pasuri të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Austri, si dhe zotëron parqe logjistike dhe një universitet privat në Shqipëri.
Historia e biznesmenit shqiptar nis në fillim të viteve ’90. Mane u largua nga Shqipëria në vitin 1991 drejt Austrisë si refugjat nga regjimi komunist. Në vitin 1993 ai nisi aktivitetin e tij duke tregtuar pajisje shtëpiake drejt Shqipërisë. Në vitin 1998 themeloi rrjetin e dyqaneve të elektronikës Neptun, ndërsa në vitin 2005 u rikthye në Shqipëri për të hapur qendrën e parë tregtare në vend. Ndërkohë, lista e sivjetme e miliarderëve të Forbes shënoi një rekord të ri global. Numri i miliarderëve në botë u rrit në 3 mijë e 428 persona, me një pasuri të kombinuar prej 20.1 trilionë dollarësh.
Sipas raportit, rritja e investimeve në inteligjencën artificiale, luhatjet në tregjet financiare dhe politikat fiskale mbështetëse kanë nxitur krijimin e pasurisë, duke shtuar rreth 400 miliarderë të rinj krahasuar me vitin e kaluar. Në krye të listës qëndron sipërmarrësi amerikan Elon Musk, pronar i Tesla, SpaceX, X dhe xAI, me një pasuri të vlerësuar në 839 miliardë dollarë, duke mbajtur vendin e parë për të dytin vit radhazi. Pas tij renditen bashkëthemeluesi i Google Larry Page me 257 miliardë dollarë dhe Sergey Brin me 237 miliardë dollarë.



