Rivendikimi moral i Rilind Gërvallës

Shkruan: Shqiptar Oseku

A të kujtohet ai ”skandali” në verën 2024, kur RTK përcillte lajmin se Vuçiçi dhe BIA serbe financonin media në Kosovë? Po them ”skandal”, se ashtu quhej asokohe. Aktorë të fuqishëm mediash u patën sulur si bisha mbi RTK-në dhe drejtorin e saj Rilind Gervalla . I patën akuzuar për shpifje. Për rrena. Për trazim. Madje Berat Buzhala qe kërcënuar me gjyq; pse jo, më lehtë ta kërcënosh Rilind Gërvallën se sa, ta zëmë, Bashkimin Evropian, që përmend mediat e Buzhalës si dezinformuese që më 2021. Fjalën ”skandal” e shkrova nën thonjëza, pse burimi i lajmit në RTK kish qenë Slobodna Bosna, një medium ky boshnjak i shpërblyer për gazetari hetuese, gjë që RTK e kish cekur qartë. Bishat e çartura s’kishin asnjë rrugë ligjore për ta fituar davanë. Secili me dy fije mend e kuptonte që RTK do të kish bërë lëshim profesional po të mos ia përcillte publikut një lajm aq të rëndësishëm.

Skandali i vërtetë, ai hiç pa thonjëza, qe mënyra se si e poshtëruan pastaj RTK-në dhe Rilind Gërvallën gjatë tërë asaj vere e vjeshte klanet e dezinformimit. Se si ua nxinë jetën, duke u ngritur komision hetimor brenda në RTK. Duke i kritikuar (!) pse kryen detyrën e vet. Duke u njehur gjoja ”gabime procedurale”. Gërvalla, njeriu më i ndershëm i RTK-së, patrioti që s’e shtrydhi kurrë luftën e vet në UÇK si ca të tjerë, profesionisti që kish punuar err e terr në RTK që prej ditëve të para, u fshikullua publikisht, e u vu në kryq si keqbërës. Ishte një ndër fëlliqjet më të gërditshme, do të thoja, në tërë historinë e pasluftës.

E lëmë atë kohë, dalim në 2026: hetimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në rastin e Fatmir Shehollit, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh dhe lidhje me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), po zbulojnë sot se ai paska marrë materiale nga BIA dhe i ka botuar në media kosovare. Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, më së voni më 26 shtator 2025, Sheholli “mori materiale, regjistrime audio dhe përkthime bisede të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që dyshoheshin se ishin komprometuese, si dhe një shumë parash si shpërblim për publikimin e tyre në media online”. Pra një skemë e qartë për sajim e shpërndarje të dezinformatave, orkestruar dhe paguar nga Serbia. Me fjalët e Prokurorisë, këto veprime u kryen “nën udhëzimet dhe planet e një zyrtari të lartë të BIA-s”, e ”duke cenuar rendin legal dhe sigurinë e Kosovës” (7.10.2025).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sot po i konfirmon pra, me pikë e presje, saktë ato raporte për të cilat na paralajmëronin dy vite më parë Slobodna Bosna dhe RTK. Po del që Rilind Gërvalla paskësh pasur komplet të drejtë (se mos ka ende dyshime), e që vendimi për të botuar asokohe në RTK lajmin se Serbia i ka në grusht disa media të Kosovës paska qenë jo vetëm i saktë, e i motivuar, por edhe largpamës e kurajoz.

Dhe jo vetëm kaq. Ndjekja ligjore që po i bën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës rastit Sheholli bazohet fund e krye mbi informata e survejim afatgjatë të kryer ndër vite nga Agjencia Informative e Kosovës AKI. Po del, pra, se Gërvalla s’paskesh gënjyer kur ka thënë,”rrëshqimthi”, se po, AKI ka informacion për këtë aferë: njeriu i ndershëm i RTK-së po del sot i pastër në çdo pikë të aktakuzave të dikurshme. Shkurt, po del që manipulantë (e të manipuluar) paskan qenë pikërisht ata që ia nxinë jetën Rilind Gërvallës në atë verë e vjeshtë, e edhe më vonë.

A thua si do të ndikojë ky rivendikim i Gërvallës tek ta? Sa për manipuluesit, pra për pronarët e fuqishëm të mediave e portaleve dezinformative, unë personalisht s’e kam asnjë iluzion se athua mos pendohen. Ata e dinë fort mirë se ç’bëjnë. Kanë kapur haverat një sektor fitimprurës të shoqërisë, e do ta mjelin gjer në fund. A u ndihmon në këtë mjelje Serbia, a dreqi i zi, ata s’çajnë krye. Ata thjesht nuk ndalen po s’i ndalëm.

Edhe menaxhimi i dëmit që bëjnë sot na e dëshmon këtë. Mediat që dyshojnë se janë nën hetim kanë nisur të fshijnë përmbajtje të dyshimta nga faqet e tyre. Portalet, sa kanë lexuar për hetimet e Prokurorisë Speciale, kanë largiuar artikujt me dezinformatë ose narrativa të paprovuara. Ndjesë Gërvallës? Kërkim falje publikut? Ruana Zot, s’ka gjasa! Manipuluesit fshehin dëshmitë si gjarpëri këmbët, për të vështirësuar hetimet, e janë gati që të helmojnë edhe më tej. Gërvalla, tok me gazetarët tjerë profesionistë të Kosovës, vazhdojnë të jenë armik i tyre nr 1.

Por jam shumë kureshtar të di për ata të manipuluarit. Për ata pra, që i ngritën komision ad hoc RTK-së dhe Rilind Gërvallës, që e poshtëronin dhe e rëndonin me statuse publike, që jipnin dorëheqje patetike, e shprehnin indinjatë. E për këta të tjerët, pilivesat që ua bëjnë avokatin pronarëve nëpër shoqata gazetarësh, e naivët e keqinformuar të OJQ-ve që raportojnë për mediat në Kosovë. Këta mendjelehtit pra, që alarmojnë se mediat heqkan më zi në Kosovë se në Serbi a në Bjellorusi. Këta a thua, a ia vëjnë gishtin kresë? A u vjen marre tash, kur shohin se qenkan manipuluar? A shohin, t’ia nisim aty, a shohin se kanë qenë të manipuluar? Në e shohin, a e pranojnë? Dhe në e pranojnë, a u bëhet mend? A ndërrojnë sjellje?

Për hesap timin, këto janë pyetjet më interesante sot. Kjo përballje midis ndershmërisë dhe propagandës së financuar (së paku pjesërisht) nga Serbia është më shumë se thjesht një debat për media. Është një luftë e mirëfilltë, për integritetin e informacionit publik, e për besimin qytetar në institucionet dhe vlerat demokratike. Gërvalla del hero ngadhnjimtar nga ky konfrontim. Ai ka dëshmuar se gazetaria me fakte dhe etikë mund të jetë mburojë e së vërtetës në një epokë dezinformatash. Edhe institucioni i RTK-së, ndonëse i shkundur, del më i fortë. Jo perfekt, larg qoftë: por me një shansë reale sot për t’i arsyetuar shpresat (dhe lekët pa fund) që janë derdhur në të.

Sot ndera ua lypte bukur do njerëzve që të presin në rend te Rilind Gërvalla, për t’i kërkuar ndjesë për traumën që ua shkaktuan atij dhe RTK-së para dy vjetsh. Ndersa ua lyp – por nderë s’kanë, shumica syresh. Njëfarë kompensimi mund ta jipte ndoshta edhe qeveria dhe opozita, nëse shfrytëzojnë urtësisht rastin Sheholli dhe votojnë një ligj për transparencë të mediave; ashtu do të ndëshlyhej në fakt jo vetëm Gërvalla dhe RTK, por e tërë shoqëria kosovare.

Por deri atë ditë, Gërvalla dhe RTK duhet të mjaftohen me fitoren e vet morale. E pse ta nënçmojmë atë? Në një kohë batakçinjsh, kur i pandershmi s’ka marre e fodulli s’ka ndjesë, edhe fitorja morale është rezultat bukur i mirë.