Kushtetuesja pezullon dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

Ankesën në Kushtetuese e kishte dorëzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës. Ai kishte kërkuar të vlerësohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit si dhe vendosjen e masës së përkohshme.

Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet “çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Po ashtu u tha se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

“Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në  vendim.

Gjithashtu në vendim theksohet se më 9 mars 2026, gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.

Më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje mbajti seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës “Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.  Nga procesverbali i seancës së jashtëzakonshme, të 5 marsit 2026, u propozuan kandidatë për President, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha – Kollçaku.

Vendimi i plotë