Surroi: Asnjë kriter kushtetues nuk u përmbush për shpërndarjen e Kuvendit

Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se asnjë nga kushtet e parapara për shpërndarje të Kuvendit nuk është përmbushur, ditën kur presidentja Vjosa Osmani e nxori dekretin.

Në një postim në Facebook ai ka thënë se presidenti/ja ka autorizime kushtetuese, të përcaktuara shprehimisht, për të shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës në tri raste.

“Nëse nuk formohet Qeveria brenda 60 ditëve nga emërimi i kandidatit për Kryeministër, nëse dy të tretat e deputetëve votojnë për shpërndarjen e Kuvendit dhe nëse Presidenti/ja nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e tij/saj. Këtyre tri u shtohet edhe votimi i suksesshëm i mosbesimit të Qeverisë. Asnjë nga këto kushte nuk ishte përmbushur më 6 mars, kur u shpall dekreti për shpërndarjen e Kuvendit”, ka shkruar Surroi.

Ai ka vlerësuar se presidenti/ja nuk ka kompetencë diskrecionale për të interpretuar kompetencat e veta përtej asaj që përcakton Kushtetuta dhe për të ndërhyrë në proceset e pushteteve të tjera.

“Deklarimet për ekzistencën e një bllokimi institucional, për veprime të ‘njerëzve të papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme’, apo për një detyrim të pretenduar për të vepruar në mbrojtje të rendit kushtetues, nuk krijojnë kompetenca të reja kushtetuese dhe nuk mund të zëvendësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë për ushtrimin e një kompetence të caktuar”, ka shkruar Surroi.

Ai ka thënë se edhe në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti nuk vepron i vetëm.

“Dekreti i dakorduar me kryeministrin anulohet nëse nuk miratohet nga Kuvendi brenda 48 orësh. Kosova nuk është në gjendje të jashtëzakonshme dhe edhe sikur të ishte, veprimet e Presidentit mbeten të kufizuara nga kontrolli kushtetues i Kuvendit”, ka shkruar Surroi.

Sipas tij kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit është një nga kompetencat më të fuqishme në sistemin kushtetues, sepse ajo siç ka thënë ai, ndërpret mandatin e përfaqësimit popullor, ndryshon rendin institucional dhe çon në zgjedhje të reja parlamentare. Ushtrimi i kësaj kompetence pa u përmbushur kushtet kushtetuese përkatëse, sipas Surroit, përbën cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues.

“Dekreti i shpallur më 6 mars përbën ndërhyrje në funksionimin e pushtetit legjislativ dhe në baraspeshën institucionale të përcaktuar nga Kushtetuta. Rrjedhimisht ka pritshmëri të arsyeshme që dekreti të përcaktohet si akt në kundërshtim me Kushtetutën”, ka shkruar Surroi.

Ai ka thënë se duhet të ketë poashtu pritshmëri të arsyeshme që deri në një vlerësim kushtetues përfundimtar të pezullohet zbatimi i dekretit me masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. “Kuvendi i Kosovës duhet të vazhdojë ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese dhe përmbushjen e obligimeve që i takojnë sipas Kushtetutës”, ka shkruar ai.

Presidentja Osmani ka thënë se për nxjerrjen e dekretit është mbështetur në nenet 82 e 86 të Kushtetutës. Neni 82 cek se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh, nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, presidenti nuk zgjidhet. E ai 86, se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Osmanit mandati i përfundon më 4 prill.