Në një procedurë shumë të shpejtë Qeveria i përvetësoi kompetencat e komunave për ndërtimin e hoteleve më të mëdha jashtë zonave urbane. Ky veprim ngjalli frikë tek aktivistët se po prezantohet një ndryshim tjetër urbanistik me të cilin nga maja e pushtetit politik do të realizohen orekset e një pakice në kurriz të qytetarëve dhe natyrës, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, për BIRN shpjegoi se kompetencat do t’u merren vetëm komunave të vogla që nuk kanë kapacitete administrative, ndërsa qëllimi është të ndërtohen hotele edhe përgjatë autostradave, gjë që do ta inkurajojë turizmin.
Dy javë më parë Ministria e Transportit e ndryshoi Rregulloren për planifikimin urbanistik, duke i barazuar hotelet e mëdha me kapacitetet energjetike, aeroportet dhe objektet e tjera kyçe të infrastrukturës me rëndësi shtetërore, kështu që vendimet për ndërtimin e tyre do të merren nga qeveria, jo nga komunat.
Ky ndryshim administrativ erdhi vetëm dy ditë pas të vetmit diskutim të ekspertëve të organizuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, në të cilën gazetarët nuk ishin të ftuar.
Për shkak të procedurës së shpejtë dhe jotransparente, por edhe për shkak të keqpërdorimeve të shpeshta të rregullave të planifikimit urbanistik në të kaluarën, sidomos në Ohër, Qendër të Shkupit, Mavrovë dhe vende të tjera tërheqëse, aktivistët e interpretuan këtë veprim si një skenar për ndërtime në zona të mbrojtura dhe shpronësim të pronave përmes procedurave jotransparente, pa pjesëmarrjen e popullatës lokale dhe publikut.
Si do veprohet për ndërtime në zonat e mbrojtura?
Njerëzit që ndjekin rregullisht deklaratat që kanë të bëjnë me urbanizmin i njohin arsyet për këto lëvizje të reja dhe shqetësuese në deklaratat më të vjetra të zyrtarëve qeveritarë, të cilat shërbejnë si bazë për ndryshimet aktuale të Rregullores.
Në muajin nëntor në konferencën “E 75 – Baza për zhvillimin e turizmit kreativ dhe qëndrueshmëria e tij” ministri Nikolloski komentoi se ndërtimi është shumë kompleks dhe se planet urbanistike kërkojnë shumë kohë për t’u miratuar, sidomos në zonat e mbrojtura si Ohri, Manastiri, Kratova dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit.
Krahas kësaj ministri komentoi se Maqedonisë i mungojnë hotele me pesë yje, ndërsa për ta marrë këtë kategori një hotel duhet të ketë ligjërisht të paktën 1.000 metra katrorë, kusht që tani po përfshihet edhe në rregulloren që përcakton se disa hotele trajtohen si objekte shtetërore.
“Hotelet nuk mund të jenë në të njëjtën kategori me aeroportet, autostradat dhe spitalet”, tha për BIRN Tatjana Çakulev, një aktiviste nga Iniciativa O2 dhe këshilltare e të Pavarurve për Karposhin.
Çakulev ka frikë se nëse një hotel klasifikohet si një objekt me rëndësi shtetërore, do të jetë më e lehtë të ndërtohet në zona të mbrojtura sepse Ligji për Mbrojtjen e Natyrës tashmë lejon ndërtimin në zona të mbrojtura, përveç në zonat me mbrojtje të rreptë.
Aktivistët u alarmuan nga shpejtësia me të cilën u ndryshua rregullorja. Më 10 shkurt në Ministrinë e Transportit u mbajt një diskutim ekspertësh me anëtarë të Odës së Arkitektëve të Autorizuar dhe Inxhinierëve të Autorizuar dhe palë të tjera të interesuara.
Edhe pse aktivistët dhe komuniteti profesional në diskutim shprehën shqetësime dhe kritika, ministria menjëherë i prezantoi ndryshimet më 12 shkurt, vetëm dy ditë pas diskutimit. Më 13 shkurt ndryshimet u publikuan në Gazetën Zyrtare.
Si shembull ajo e dha atë të Vodnos në Shkup, e cila është një zonë e mbrojtur ku sërish po zhvillohen ndërtime.
Ajo shpjegon se sipas ligjit në zonën e dytë, e cila quhet zona e menaxhimit aktiv, lejohen aktivitete të karakterit ekonomik që nuk kanë ndikim negativ në qëllimin kryesor të mbrojtjes, siç është ekoturizmi ose bujqësia tradicionale ekstensive.
Menjëherë pas ndryshimit të Rregullores, në një intervistë me BIRN ministri Nikolloski mohoi se do të lejohej ndërtimi i hoteleve në parqet kombëtare, përgjatë Liqenit të Ohrit dhe të gjitha zonave të tjera të mbrojtura të çdo lloji, siç janë Çarshia e Shkupit dhe Manastirit.
“Për secilën zonë të mbrojtur ka ligje të veçanta që nuk derogohen me një rregullore sepse është një akt ligjor më i ulët dhe nuk mund të jetë mbi ligjin”, shpjegoi ministri dhe zëvendëskryeministri.
Ndryshime vetëm për hotelet pranë autostradave
Në mungesë të një debati për t’i shpjeguar qartë motivet e ndryshimeve, aktivistët dolën edhe me supozime se me rregullat e reja për hotelet mund të bëhet shpronësimi i tokës private me pretekstin se objekti është me rëndësi shtetërore.
Meqenëse hotelet nuk janë objekte me interes publik, ministri Nikolloski pretendon se toka nuk mund të shpronësohet për ndërtimin e një hoteli të tillë.
Organizata joqeveritare O2 para diskutimit të ekspertëve i njoftoi gazetarët për ndryshimet, si dhe reagoi edhe ndaj faktit se në këtë mënyrë banorët vendas dhe publiku anashkalohen gjatë marrjes së vendimeve.
“Hapet dera për abuzimin e hapësirës, duke imponuar ndërtime aty ku nuk e kanë vendin, me pamundësinë e popullatës vendase për të ndikuar në vendim”, thuhet në deklaratën e O2.
Nikolloski edhe në lidhje me këtë shqetësim siguron se për projektet që do të rrjedhin nga këto ndryshime do të ketë anketë publike nga 30 deri në 90 ditë, ndërsa gjatë asaj periudhe banorët do të mund t’i shprehin mendimet e tyre për të cilat do duhet të marrin një përgjigje nga komuna.
Ai shpjegoi se ndryshimet në fakt do të zbatohen vetëm për ndërtimin e hoteleve në Korridorin 8 në Maqedoninë perëndimore dhe në Korridorin 10, pra autostradën E-75 që lidh vendin tonë me Greqinë.
“Ky ndryshim është menduar kryesisht për hotelet përgjatë autostradave që ndodhen në komuna me kapacitete më të vogla administrative që nuk mund ta përballojnë këtë lloj projekti”, tha ministri Nikolloski.
Me këtë lidhet edhe deklarata e vitit të kaluar e ministrit të kulturës dhe turizmit, Zoran Ljutkov, i cili foli për potencialin e pashfrytëzuar të autostradës për në Greqi, në të cilën kalojnë shumë udhëtarë të huaj.
“Jam i bindur se çdo kilometër i kësaj rruge sjell me vete një mundësi për bashkëpunim të ri, partneritet të ri dhe zhvillim të ri”, tha ministri Ljutkov.
Por, në Rregullore nuk thuhet shprehimisht se ndryshimi vlen për hotelet përgjatë autostradave, i vetmi sqarim në këtë rregullore është se ky klasifikim nuk do të zbatohet për hotelet e qytetit.
Se neni i ri i Rregullores do të zbatohet vetëm për hotelet përgjatë autostradave nuk u tha as nga përfaqësuesit e Ministrisë në diskutimin e ekspertëve, në të cilin gazetarët morën pjesë me këmbënguljen e tyre.
BIRN u konsultua me komunitetin profesional në lidhje me shpjegimin e ministrit, ndërsa ata theksuan se ekziston një nen tjetër në Rregulloren e Planifikimit Urbanistik që i rregullon objektet përgjatë rrugës, siç janë pikat e karburantit, autoserviset dhe motelet.
Objektet e aksesueshme nga rrugët shtetërore, siç janë autostradat, edhe deri më tani kanë qenë nën ingerencat e Ministrisë së Transportit. Me fjalë të tjera, nëse në këtë nen do të shtoheshin hotelet dhe komplekset hotelierike, më qartë do të përcaktohej saktësisht se për cilat objekte turistike duhet të jetë përgjegjëse pushteti qendror, pa lënë hapësirë për dyshime se ai mund të keqpërdoret në të ardhmen.





