Ishte natë e shkurtit 2014, kur në mesin e një darke të ngarkuar në restorantin e njohur “Noma” në Kopenhagë të Danimarkës, themeluesi me rrënjë shqiptare, Rene Rexhepi, urdhëroi të gjithë stafin e kuzhinës të dilte jashtë në të ftohtë.
Po e shtynte përpara një ndihmës të shefit të kuzhinës, një djalë i ri që kishte lëshuar muzikë tekno në kuzhinë. Ishte zhanër që Rexhepi nuk e pëlqente. Larg dhomave të ngrënies, ishte vendi ku praktikantë të papaguar punonin nga 16 orë në ditë, e kryenin edhe punë si mbledhja e bimëve dhe pastrimi i boçeve të pishave për të zbukuruar gatimet e famshme të Rexhepit të stilit nordik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj
Rexhepi vazhdimisht e tallte kuzhinierin, ndërsa rreth 40 pjesëtarë të stafit, e krijuan në rreth të madh duke i lënë të dy në qendër. Nuk ishte hera e parë që po merrnin pjesë në një turpërim të tillë publik, sipas dy prej pjesëtarëve të stafit që kanë folur.
Në një moment, Rexhepi kishte përshkallëzuar abuzimin duke e goditur punëtorin e tij në brinjë dhe duke u bërtitur të gjithëve që të mos ktheheshin brenda derisa punëtori të thoshte me zë të lartë se i pëlqente t’i bënte seks oral DJ-it. Kolegët kishin heshtur derisa i riu ishte bindur me vështirësi. Pas kësaj ishin kthyer në kuzhinë dhe rinisën punën.
Ngjarja nuk ishte përmendur më kurrë. Dhjetëra ish-punonjës të Rexhepit kanë përshkruar edhe ngjarje të tjera të ndëshkimeve të dhunshme. Ata kanë thënë se heshtja e stafit ishte diçka e zakonshme pas ngjarjeve.
“Të shkoje në punë ishte sikur të shkoje në luftë”, ka thënë Alessia, tani shef kuzhine në Londër, ka raportuar prestigjiozja New York Times. Ajo ka refuzuar që emri t’i bëhej publik nga frika për hakmarrje. Ka thënë se ajo ishte pjesë e rrethit të turpit. “Duhej ta detyroje veten të ishe e fortë, të mos tregoje frikë”.
Por tani Rexhepi dhe ata që punojnë me të thonë se abuzimi i përket të kaluarës. Megjithatë, ish-punonjësit thonë se ai kurrë nuk është mbajtur vërtetë përgjegjës.
Që prej 2004-s, Rexhepi ka shkruar rregullat e kuzhinës luksoze, duke u renditur pesë herë në vendin e parë të listës së 50 restoranteve më të mira të botës. Ai madje ka marrë titullin kalorës nga mbretëresha e Danimarkës.
Në kulmin e famës, më 2023, Rexhepi njoftoi se do ta mbyllte restorantin “Noma” për t’i kushtuar vëmendje inovacioneve: si bashkëpunime bioteknologjike dhe restorante të përkohshme, që janë bërë destinacione të veçanta për klientët e pasur nga e gjithë bota.
Por në javët e fundit, teksa Los Angelesi po e pret hapjen e një serie darkash të “Nomas” me çmim prej 1500 dollarësh për person nga 11 marsi, është ndezur një debat publik rreth së kaluarës së Rexhepit.
Jason Ignacio White, ish-drejtues i një laboratori të fermentimit të “Nomas” ka nisur të postonte në Instagram muajin e kaluar, duke thënë se ka qenë dëshmitar i abuzimit fizik e psikologjik për tri vjet. Ai ka postuar edhe akuza që bënin të tjerë ish-nxënës të “Nomas”. Postimet janë shikuar më shumë se 14 milionë herë.
35 ish-punonjës kanë dhënë rrëfimin për ndëshkimin fizik që Rexhepi ua bënte stafit të tij. Në periudhën 2009-2017, sipas rrëfimeve, ai i grushtonte punonjësit në fytyrë, i godiste me vegla kuzhine e i ka përplasur për muri. Sipas përshkrimeve, bëhet fjalë për trauma të shumta të shkaktuara nga frika, turpërimi fizik e tallja publike. Sipas tyre, Rexhepi i ka kërcënuar se do ta përdorte ndikimin e tij për t’i futur në listën e zezë të restoranteve anembanë botës dhe se do t’ua dëbonte familjet ose do t’ua largonte familjarët nga punët e tjera.
Rexhepi ka kërkuar falje disa herë që prej se u kap nga kamera e dokumentarit “Noma at Boiling Point” më 2008 duke u bërtitur kuzhinierëve. Në një shkrim më 2015, ai pranoi se ka qenë “një bishë” që ka shtyrë e ngacmuar vartësit. Më 2022, në një intervistë për “The Times” të Londrës ishte shprehur i penduar për të kaluarën duke shtuar se “s’e ka goditur kurrë askënd, por ndoshta është përplasur”.
Ndërkaq të premten, ai ka thënë se ka reflektuar mbi të kaluarën.
“Për ata që kanë vuajtur nën udhëheqjen time, gjykimin tim të keq ose zemërimin tim, më vjen thellësisht shumë keq dhe kam punuar për të ndryshuar”, ka thënë ai.
Rexhepi ka thënë se është tërhequr nga shërbimi i përditshëm vite më parë dhe se i është nënshtruar terapisë si dhe se ka gjetur mënyra për ta menaxhuar zemërimin.
Shumë ish-punëtorë të tij kanë thënë se puna aty nuk ishte kurrë e lehtë, por ia vlente për shkak se restoranti ishte i veçantë dhe bëheshin studime të ushqimeve e fermentimet. Julian Fortu, praktikant më 2015, ka thënë se sikur atij edhe disa të tjerëve iu ishin hapur dyert pas praktikës në “Noma”.
Restorantet tashmë janë të famshme në botë se kanë keqtrajtuar punonjës. Megjithatë, ish-punëtorët e “Nomas” kanë thënë se Rexhepi nuk e ka pranuar ende shkallën e dhunës që ai u ka shkaktuar. Prandaj, tani ata po flasin.
Në kohën kur Rexhepi pritet të hapë restorantin e përkohshëm me çmim të lartë, atyre u është kujtuar se perandoria e tij është ndërtuar edhe mbi dhimbjen e tyre.
Beni, shef kuzhine nga Australia, që kishte punuar te “Noma” më 2012, ka thënë se ndëshkimi i të gjithë punonjësve për gabimin e një punëtori ishte diçka rutinë. “Ai vetëm erdhi poshtë dhe na goditi në gjoks” teksa bërtiste me fjalë të pista në fytyrat tona, ka thënë kuzhinieri që po ashtu frikësohej ta zbulonte mbiemrin.
Kur Rexhepi donte t’i disiplinonte, por kishte klientë, për të mos rënë në sy ai u shponte në këmbë me diçka që gjente afër.
Një kuzhinier tjetër në kushte anonimiteti ka thënë se Rexhepi se kishte sulmuar fizikisht shumë herë. Ai ka kujtuar se si më 2011 në një rast Rexhepi e kishte përplasur për muri dhe e kishte goditur në bark sepse kishte lënë një shenjë të vogël në një lule teksa po e vendoste në pjatë.
Rreth 30 ish-punonjës kanë thënë se goditja e Rexhepit dhe nga kuzhinierët e klasit të lartë ishte rutinë.
Shumë gatime të “Nomas” dhe restoranteve të përkohshme përfshijnë 20 ose më shumë përbërës dhe stili dallues përfshin produkte komplekse e të brishta. Puna ndahej sipas një hierarkie që niste me praktikantët, që raportonin te shefat e grupeve, që raportonin te ndihmës-shefat që drejtonin kuzhinën gjatë shërbimit dhe që qëndronin në rolet e tyre për vite të tëra. Për të prodhuar mjaftueshëm për çdo darkë, shumë nga kuzhinierët nisnin punën herët dhe punonin derisa gjithçka të mbaronte në 1 të natës.
Ngarkesa e punës, plus përsosmëria që Rexhepi impononte, sipas punëtorëve, gjeneronte urgjencë të vazhdueshme për punë. “Dukej sikur po punonim në urgjencë ose nëndetëse që po fundosej”, ka thënë Beni, shefi australian. “Ishte ferr, por mësova aq shumë sa nuk mund të them se pendohem”.
Një shefe kuzhine në Londër, që kishte punuar për disa restorante me yje Michelin në Evropë, pati kursyer për një vit dhe kishte shitur veturën që të mund të përballonte punën në “Noma” në vitin 2013. Ajo ka thënë se s’mund të ndalej së punuari dhe në vitin e parë humbi rreth 20 kilogramë.
Siç ka treguar ajo, një natë, Rexhepi e kishte zënë duke përdorur telefoni që ishte rreptësishtë e ndaluar gjatë shërbimit. Sipas saj, ajo po e përdorte për ta ulur zërin e muzikës në dhomën e ngrënies me kërkesë të një mysafiri. Megjithatë, siç ka treguar ajo, në ato momente kishte marrë goditje të madhe në brinjë saqë ishte përplasur dhe kishte shqyer ijën.
Edhe pse po gjakoste dhe po qante, ajo ka treguar se askush nuk i kishte thënë asnjë fjalë. Edhe kur e kishte gjetur një shef kuzhine vetëm e kishte pyetur se a mund të kthehej në punë. E kishte vazhduar punën deri në fund të turnit.
Ajo ka thënë se punoi deri në fund të kontratës sepse e ndjente si privilegj, si një latine, të punonte në restorantin më të mirë të botës. Kolegët, sipas saj, dukej se e konsideronin dhunën si normale.
Një zëdhënëse e “Nomas” ka thënë se organizata i merr shumë seriozisht këto pretendime dhe se i ka shqyrtuar, por se nuk ka mundur ta verifikonte.
Edhe pas vitit 2017, edhe pse Rexhepi ishte frenuar paksa, shumë punëtorë thonë se shefat e ruajtën kulturën e abuzimit me miratimin e tij të heshtur.
“Rene rriti një brez ngacmuesish dhe ata na bullizonin”, ka thënë Mehmet Çekirge, i cili ishte praktikant në vitin 2018.
Për shkak se ishte nga Turqia, ai po bullizohej prej mbikëqyrësve dhe tallej për theksin. Ai ka thënë se i thoshin edhe gomar. “E gëlltita të gjithën sepse doja të dëshmoja se isha lojtar ekipi e se mund ta përballoja”, ka thënë ai. Kur e përfundoi tremujorin, ai tha se ishte mbushur turp e dështim. “Më duheshin vite për rikuperim”.
Ish-praktikanti tjetër, Blaine Wetzel, i pëlqyer i Rexhepit, ishte larguar në vitin 2010 pas dy vjetësh në “Noma” për të hapur restorant të ngjashëm në veriperëndim të Paqësorit. Ai u mbyll më 2022. Wetzel u akuzua për abuzim fizik e verbal.
Në “Noma” secili prej tri “sezoneve” vjetore sillte grup të ri prej 30-40 praktikantësh që garonin me mijëra të tjerë për privilegjin për punë të papaguar për tre muaj, duke jetuar në një nga qytetet më të shtrenjta në botë. Shumë prej tyre dilnin me lot në mes të ndërrimit apo zhdukeshin pas pak ditësh.
I caktuari për t’i mbështetur praktikantët, Bente Svendsen, përbënte departamentin e burimeve njerëzore bashkë me një grua dhe vjehrrën e Rexhepit. Shumë ish-punonjës thanë se ajo, menaxherë të lartë e edhe gruaja e Rexhepit, por edhe drejtori ekzekutiv ishin të informuar për dhunën, por nuk arritën ta ndalnin.
Kushtet nëpër shumë restorante janë përmirësuar që nga lëvizjet për drejtësi sociale. Një zëdhënëse e “Nomas” tha se kompania u riorganizua dhe ka sisteme zyrtare të burimeve njerëzore, trajnime menaxheriale e orare më të mira pune.
Më 2022, pasi mediat në Danimarkë dhe gjithë botën e dokumentuan mbështetjen e “Nomas” në punën e lirë – Rexhepi njoftoi se praktikantët e ardhshëm do të paguheshin. Menjëherë pas kësaj ishte shprehur se sistemi tani është bërë i paqëndrueshëm e se restoranti do të mbyllet.
Në teori, “Noma” tani është si lloj zinxhiri i restoranteve mobile, dhe linjë produktesh luksoze si uthulla e trëndafilit apo salca e peshkut që mund blihen apo njerëzit mund të abonohen.
Por restoranti i famshëm në Los Angeles tani përballet me çarjet në imazh. Disa shefa kuzhine kanë postuar duke e konsideruar fyese që “Noma” po futet me shpejtësi dhe po tërheq klientët e pasur, kur restorantet në shtet po përballen me kërcënime ekzistenciale.
Me çmim prej 1500 eurosh, “Noma është bërë aq ekskluzive sa që s’është më një restorant, por art performues”, ka thënë Marco Cerruti, shef kuzhine në Los Angelez që kishte punuar në restorantin në Kopenhagë më 2015.
Ai ka thënë se përderisa kreativiteti i Rexhepit mbetet i pakrahasueshëm, statusi i tij si lider botëror nuk meritohet dhe se ka rënie të trashëgimisë së tij.
“Çka po modelon ai tani për industrinë? Po ushqen të pasur duke shfrytëzuar shefa të rinj kuzhine?” tha ai.



