Shkuarja eventuale në zgjedhje të reja mund ta thellojë krizën institucionale në vend. Në mungesë të Kuvendit funksional rrezikohet të bllokohen një numër i madh nismash ligjore e të mbesin institucione me ushtrues detyre dhe borde të pakompletuara. Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që të emërohet sa më shpejt edhe përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi mungesa e saj mund ta kontestojë përgatitjen dhe legjitimitetin e zgjedhjeve të reja, nëse ato caktohen së shpejti.
Shpërndarja eventuale e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje vetëm dy muaj pas mbajtjes së atyre të fundit do të sjellë pasoja të shumta politike, vlerësojnë njohës të këtyre rrethanave.
Bllokada njëvjeçare për konstitumin e institucioneve vitin e kaluar dhe kriza e re institucionale që mund të pasojë pas dekretit të presidentes, do të lë një varg projektligjesh pa miratim, institucione me ushtrues detyre, borde të pakompletuara të ndërmarrjeve publike e institucioneve të pavarura e vonesa në integrimin evropian.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Në aspektin legjislativ Kuvendi për dy vjetët në vijim ishte paraparë të trajtonte 170 projektligje.
Njomza Arifi, drejtoreshë Ekzekutive në Grupin për Studime Politike dhe Juridike thotë se kriza e re do të ndikojë negativisht në rrjedhën institucionale, proceset reformuese dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Thellimi i krizës politike tashmë na fut në një terren ende më të rrezikshëm duke pasur parasysh se procese shumë të rëndësishme do mbesin peng në mungesë të një Kuvendi jofunksional. Për pasojë, shumë nisma legjislative jetike do bllokohen, e të cilat kanë ndikim direkt në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Një situatë e tillë absolutisht që do sjell pasoja në rrjedhën normale institucionale. Shumë borde të ndërmarrjeve publike mbeten jofunksionale, dhe duke qenë të varura nga ekzekutivi, kriza institucionale ndikon në mosplotësimin e tyre duke rrezikuar funksionimin e tyre të rregullt”, tha Arifi.
Në situatën aktuale kur Kuvendi është jofunksional dhe vendi mund të përballet me zgjedhje të reja, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të mbesë pa përbërje të re, gjë që mund të kontestojë përgatitjen dhe legjitimitetin e zgjedhjeve.
Në organizatën “Demokracia në Veprim” i kanë bërë thirrje partive parlamentare që të nominojnë dhe presidentes që të emërojë pa vonesë anëtarët e rinj të KQZ-së.
“Në këtë moment, kur vendi po përballet me zhvillime që pritet të çojnë drejt një procesi të ri zgjedhor dhe kur 11 marsi – si afat ligjor për këtë procedurë është drejt përfundimit – përmbyllja e procesit të emërimit të përbërjes së re të KQZ-së bëhet edhe më e rëndësishme. Kjo sidomos për shkak se legjislacioni aktual nuk parasheh më vazhdimin automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë – në rast të zgjedhjeve – siç ishte rregulluar me ligjin e mëparshëm”, thuhet në thirrjen e DnV-së.
Nga 34 institucione e agjenci të pavarura që monitorohen nga Kuvendi i Kosovës mbi dhjetë sosh janë pa borde funksionale apo pa drejtues me mandat të plotë.
Në mesin e tyre është edhe Gjykata Kushtetuese së cilës i mungojnë dy gjyqtarë dhe dorëheqja apo skadimi i mandatit i vetëm njërit prej atyre që janë aktualisht do ta linte këtë institucion pa funksion.
Tutje, Arifi nga GLPS thotë se pasoja do të ketë edhe në rrafshin integrues.
“Në rrafshin integrues, do të thellohet vonesa në implementim të reformave që Kosova ka zotuar në aspektin e integrimit Evropian, përfshirë Agjendën e Reformave të Planit të Rritjes i cili ka afate strikte implementuese, duke rrezikuar kështu miliona euro përfitime për vendin”, tha Arifi.
Kuvendi, puna e të cilit është pezulluar në pritje të vendimit të Kushtetueses, do të lë pa trajtim edhe një numër të marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë prej 120 milionë eurosh, që i janë përcjelle të premten nga Qeveria.



