Disa shpërthime tronditën kryeqytetin iranian Teheran në mëngjes dhe pasdite, pasi avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore që duket se kishin në shënjestër qendrën e qytetit dhe ndërtesa qeveritare.
Kjo është dita e shtatë e luftës së Izraelit dhe SHBA-ve ndaj Iranit. Bilanci i viktimave vazhdon të rritet.
Që nga fillimi i konfliktit një javë më partë, të paktën 1.230 persona janë vrarë në Iran.
Presidenti amerikan Donald Trump në një postim në rrjetet sociale bëri thirrje për “dorëzim të pakushtëzuar” të Iranit dhe tha se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen e liderit të ardhshëm të vendit, ndërsa Shtëpia e Bardhë theksoi se një dorëzim i tillë mund të ndodhë edhe nëse Irani nuk është në gjendje ta shpallë vetë.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian hodhi poshtë thirrjet për dorëzim, duke thënë se kjo është një ëndërr që mund ta marrin me vete në varr.
“Që ne të dorëzohemi pa kushte – ata duhet ta marrin këtë ëndërr me vete në varr. Ajo për të cilën ne jemi të përkushtuar është e drejta ndërkombëtare, kornizat ndërkombëtare dhe parimet për të cilat ata flasin; ata duhet t’u përmbahen atyre parimeve. Ata nuk mund të injorojnë të drejtat e asnjë vendi, përfshirë edhe Iranin”, tha Masoud Pezeshkian – president i Iranit
Pezeshkian u kërkoi falje ndaj vendeve fqinje për sulmet e Iranit, duke sugjeruar se ato mund të kenë ndodhur për shkak të një keqkomunikimi brenda radhëve të ushtrisë dhe duke theksuar se nga tani e tutje ato do të ndalen. Ai po ashtu deklaroi se Irani nuk do të sulmojë vendet fqinje, përveç nëse sulmet ndaj tij nisen nga territori i tyre.
Kjo deklaratë e Pezeshkianit, sipas Trampit erdhi vetëm për shkak të “sulmit të pamëshirshëm të SHBA-së dhe Izraelit”. Presidenti amerikan më tej shtoi se “Irani është ‘Humbësi i Lindjes së Mesme’ dhe do të mbetet i tillë për shumë dekada derisa të dorëzohet ose të shembet plotësisht. Tramp paralajmëroi përshkallëzim të luftës kundër Iranit dhe duke thënë se vendi do të goditet “shumë rëndë”, për shkak të asaj që ai e cilësoi si “sjellje të keqe të Iranit”.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi të premten një bisedë telefonike me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, duke shprehur ngushëllime për vrasjen e liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe për viktimat civile. Sipas dy zyrtarëve të njohur me inteligjencën amerikane, Rusia i ka ofruar Iranit informacione që mund ta ndihmojnë të godasë anije luftarake dhe mjete të tjera amerikane, gjë që, siç shkroi Assocoiated Press, përbën shenjën e parë të përfshirjes së Moskës në konflikt.



