Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i ka akuzuar dy partitë opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike për skenarë të kurdisur kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj, Albin Kurti.
Në një shkrim në Facebook, Dugolli ka thënë se PDK-ja e LDK-ja gjatë konsultave për çështjen e presidentit kanë deklaruar se s’kanë votë për Vjosa Osmanin, ndërsa sot po e mbrojnë dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit.
“Partitë opozitare, PDK dhe LDK, të cilat gjatë konsultimeve me kryeministrin Kurti për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Presidentit deklaronin, jo një herë por disa herë, se nuk kanë votë për Vjosa Osmanin, sot po e mbrojnë me fanatizëm veprimin e saj të kundërligjshëm për shpërbërjen e Parlamentit. Ky ndryshim i papritur i qëndrimit nuk është i rastësishëm. Përkundrazi, të jep përshtypjen se kemi të bëjmë me një skenar të mirëmenduar dhe të mirëkurdisur kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit. Por një gjë është e sigurt: e vërteta nuk mbetet gjatë e fshehur. Herët a vonë gjithçka del në dritë. Dhe gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se në këtë komplot ka shumë më tepër aktorë sesa ata që duken në skenë”, ka shkruar ai.
Dështimi për arritjen e një dakordimi mes këtyre tri partive më të mëdha për të zgjedhur presidentin e ri u konfirmua më 5 mars, kur në mungesë kuorumi Kuvendi nuk zgjodhi presidentin e ri. Kandidatë zyrtarë ishin Glauk Konjufca e Fatmire Mulhaxha të LVV-së.
Vetëvendosje i ka akuzuar dy partitë, PDK-në e LDK-në, për mosbashkëpunim të mirëfilltë, ndërsa dy partitë Vetëvendosjen se “tentoi t’i kapte të gjitha pozitat udhëheqëse të shtetit”.
Pas dështimit më 5 mars, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin duke thënë se ka përfunduar afati kushtetues për zgjedhjen e një presidenti, një muaj para se asaj t’i përfundojë mandati.
LVV-ja ka paralajmëruar se do ta çojë dekretin në Kushtetuese.



