BDI: Heqja e lidhjes me Shqipërinë nga Korridori 8 do të shkatërron vetë korridorin

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas deklaratës së Ministrit të Transportit për mundësinë e përjashtimit të segmentit Trebenishtë–Strugë–Qafë Thanë nga Korridori 8, duke u arsyetuar me kufizime që lidhen me UNESCO-n.

“Çdo tentativë për të përjashtuar segmentin Trebenishtë–Strugë–Qafë Thanë nga Korridori 8 është e papranueshme dhe dëmton rolin strategjik të Maqedonisë së Veriut në rajon”, tha mes tjerash Enard Bakiu nga BDI.

BDI e cilëson këtë si të papranueshme, duke theksuar se segmenti është pjesë strategjike e korridorit që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe përforcon pozicionin e Maqedonisë së Veriut në rajon.

Partia kërkon sqarime të menjëhershme nga Ministria e Transportit dhe Qeveria, duke vënë në dukje se çdo ndryshim mund të dëmtojë funksionin dhe rëndësinë gjeostrategjike të Korridorit 8.

BDI gjithashtu kritikon mungesën e qëndrimit nga zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, dhe kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.