Venko Filipçe: Do të ketë zgjedhje të parakohshme

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në emisionin Click Plus në TV21, deklaroi se pret që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Filipçe vlerësoi se Qeveria aktuale do të përballet me sfida serioze politike dhe ekonomike.

Filipçe rikujtoi deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili më herët kishte thënë se zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt dhe jo para kohe. Megjithatë, Filipçe tha se është i bindur se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ai theksoi se gjendja në buxhet është serioze, me rritje të deficitit dhe presion në pagesën e pagave dhe obligimeve ndaj fondeve, ndërsa çështja e sigurimit të mjeteve financiare po bëhet gjithnjë e më aktuale. Sipas tij, po merren hua të reja me kushte të panjohura, gjë që rrit pasigurinë financiare.

Filipçe paralajmëroi gjithashtu se pakënaqësia e qytetarëve do të rritet, sidomos në kushtet e presionit ekonomik dhe protestave të paralajmëruara nga sindikatat. Sipas tij, Qeveria nuk ka përgjigje të duhur ndaj këtyre sfidave dhe do të përballet me revoltë publike.