Limani promovoi rikonstruktimin e plotë të rrugës Borçe Jovanovski

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, sot promovoi përfundimin e punimeve për rikonstruktimin të rrugës Borçe Jovanovski, në pjesën qendrore të qytetit, me gjatësi prej 250 metrash.

Ky projekt është realizuar sipas standardeve më të larta të ndërtimit dhe përfshin jo vetëm asfaltimin e rrugës, por edhe rehabilitimin e plotë të infrastrukturës nëntokësore. Në kuadër të punimeve është bërë zëvendësimi i gypave të ujësjellësit si dhe rregullimi i kanalizimit atmosferik.

Gjatë realizimit të këtij projekti, për herë të parë është vendosur edhe rrjeti Gjeogrid, një teknologji moderne që përdoret në vendet evropiane për përforcimin e shtresave të asfaltit. Ky sistem ndihmon në parandalimin e çarjeve dhe deformimeve të rrugës dhe dyfishon jetëgjatësinë e saj.

Me realizimin e këtij projekti, Komuna e Gostivarit vazhdon angazhimin për përmirësim të infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.