Halil Snopçe ngre në Kuvend çështjen e thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve në ndeshjet e futbollit

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka ngritur në Kuvend çështjen e skandaleve të fundit në ndeshjet futbollistike në vend, ku sipas raportimeve janë dëgjuar thirrje raciste dhe fyese ndaj shqiptarëve.

Snopçe theksoi se gjatë ndeshjes mes FK Vardar dhe KF Bashkimi, një pjesë e tifozëve të njohur si Komiti Skopje kanë përdorur thirrje raciste dhe shumë ofenduese ndaj shqiptarëve.

Sipas raportimeve të mediave, nga tribunat janë dëgjuar thirrje që nxisin urrejtje etnike dhe përmbajnë fyerje të rënda ndaj shqiptarëve.

Deputeti Snopçe tha se për këtë çështje i ka drejtuar pyetje ministrit të Sportit, duke kërkuar sqarime se çfarë masash konkrete janë ndërmarrë për parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të tilla në stadiume.

Ai theksoi se gjuha e urrejtjes dhe thirrjet raciste nuk duhet të kenë vend në sport dhe kërkoi reagim institucional për të garantuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.