Debati për projektligjin e ri për Arsimin e Lartë është futur në fazën finale para se të kalojë në Kuvend. Ajo që duhet të thuhet është fakt që për pak Ligje realizohet debat publik me subjektet që prek Ligji. Kjo praktikë që po ndodhë tani për këtë propozim Ligj do duhej të ndodhte për secilin Ligj që prek një komunitet më të gjerë. Kthehemi te propozim Ligji, çfarë përmban në të vërtetë, kush janë kundër e pse pushteti është pro? A duhet të kalojë ose jo? shkruan Zhurnal.
Çfarë përmban propozim-drafti i ri për Ligjin e Arsimit të Lartë?
Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut ka paraqitur një draft të ri për reformimin e arsimit të lartë. Ky draft synon gjëra që në teori duken se janë përmbajtësore dhe kanë ndikime pozitive. Propozim draft Ligjin për arsimin e lartë mund ta lexoni këtu.
- Në këto ndryshime është paraparë rritje e cilësisë së mësimdhënies, digjitalizimin e sistemit dhe përmirësimin e administrimit.
- Financim dhe kontroll ku shihet vendosja e një modeli të ri financimi, por me ndërhyrje të drejtpërdrejta të shtetit në menaxhimin e universiteteve.
- Avancim akademik por me kritere më të forta për promovimin e stafit akademik, duke u bazuar në publikime ndërkombëtare.
- Lidhje me tregun e punës si politikë e munguar që ka të bëjë me orientim të studimeve drejt nevojave të ekonomisë dhe punësimit.
Megjithatë, ky draft ka hapur një debat të gjerë, pasi shumë akademikë e shohin si një ridizajnim të modelit të universitetit publik që rrezikon autonominë e institucioneve.
Pse profesorët dhe universitetet shqiptare e kundërshtojnë këtë propozim-ligj?
Tre universitetet shqiptare kryesore në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Tetovës (UT), Universiteti “Nënë Tereza” (UNT) në Shkup dhe Universiteti Evropës Juglindore (UEJL) kanë dalë me një qëndrim të unifikuar kundër ndryshimeve. Gjë që e kanë shprehur në debatet publike që ka organizuar, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Argumentet e tyre kryesore janë se ky propozim ligj është i hartuar nga autorë anonim që mungon transparenca qysh në fillim. Pastaj, radhisin edhe një varg kritikash që kanë të bëjnë me përmbajtjen e Ligjit.
- Cënimi i autonomisë universitare, drafti shihet si një formë kontrolli qeveritar mbi universitetet.
- Goditje strukturore ndaj gjeneratës së re akademike që parashihen kritere të ashpra për avancim përmes publikimeve shkencore në revista me impakt faktor, dhe indeksi H, gjë për të cilat askush nuk është kundër por sipas tyre infrastruktura aktuale dhe financimi dobët e pamundësojnë një gjë të tillë.
- Partizim dhe diskriminim ku sipas kritikëve drafti hap derën për politizim dhe krijon padrejtësi sistemike .
Ky qëndrim është përforcuar nga kolumna të shumta të profesorëve dhe nga deklaratat publike të universiteteve, të cilat e konsiderojnë ligjin si një kapje të arsimit të lartë nga pushteti politik.
Deri në këto momente ministresha nuk heq dorë nga ky propozim Ligj. Sipas saj vërejtjet do të merren parasysh por kthim pas nuk ka.
“Për shembull, ligji thotë se para mbrojtjes së tezës së masterit, kandidati duhet të ketë botuar punim në Web of Science. Pasi diskutuam me argumente se mund të mos ketë kohë për një gjë të tillë, ajo do të tërhiqet. Për mbrojtjen e një teze doktorature, kërkohej që tre punime të botoheshin në një revistë me faktor ndikimi, duke marrë përsëri parasysh kohën, përpjekjen që studenti i doktoraturës duhet të investojë, arritëm në përfundimin se edhe dy punime janë plotësisht në rregull. Ai tashmë ka filluar kërkimin shkencor, në titull, dhe është mjaft në rregull që ai të mbrojë tezën e doktoraturës, dhe pastaj të vazhdojë me karrierën e tij”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë vizitës së saj në Panairin e Arsimit dhe Karrierës.
Kujtojmë që, pas përfundimit të debatit publik, do të miratohet versioni përfundimtar i Propozim-Ligjit për arsimin e lartë. Megjithatë, nëse autonomia universitare cënohet, reformat humbin kuptimin si instrument zhvillimi dhe kthehet në një mjet kontrolli politik. Prandaj, mbetet të shihet nëse është ky draft një hap drejt modernizimit apo një strategji për të nënshtruar universitetet ndaj pushtetit. /Zhurnal.mk





