Presidenca i reagon Nagavcit: Gënjeshtër, Osmanit nuk i janë ofruar nënshkrimet nga LVV për rizgjedhje

Presidenca e Kosovës ka mohuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka ofruar mbështetje presidentes Vjosa Osmani për të kandiduar për një mandat të dytë, duke i siguruar edhe nënshkrimet e nevojshme për garë.

Shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, e quajti “gënjeshtër” deklaratën e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila kishte thënë se partia e saj ia kishte ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme, por ajo kishte refuzuar mundësinë.

“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si presidente e Kosovës,” shkroi Hollaj në Facebook.

Nga ana tjetër, Nagavci tha se LVV-ja ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të ofruar mbështetje dy kandidatëve, dhe se partia është e gatshme t’i japë nënshkrimet edhe subjekteve të tjera parlamentare për të siguruar garën. Ajo theksoi se kjo bëhet për të shmangur situata të ngjashme me vitin 2025, kur Kuvendi kishte shkuar në zgjedhje të përsëritura.

Më herët, LVV-ja e kryeministrit Albin Kurti kishte propozuar Glauk Konjufcën, zëvendëskryeministër dhe ministër të Jashtëm, si kandidat për president të Kosovës.

Konjufca mbetet kandidati i vetëm i propozuar deri tani, ndërsa po afron afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar se për të thirrur seancën për zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë me nënshkrimet e nevojshme.

“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërras seancën për zgjedhjen e presidentit,” tha Haxhiu./Telegrafi.