Një dymbëdhjetëvjeçar nga Kumanova është ofenduar, përqeshur dhe nxitur të kërcejë nga dritarja e klasës nga një bashkënxënës i tij.
– Më datë 03.03.2026, në ora 12:45, në SPB Kumanovë, një grua 35-vjeçare nga rrethina e Kumanovës ka denoncuar se për një periudhë të gjatë kohore, në shkollën fillore në Kumanovë ku mësonte djali i saj 12-vjeçar, ai ishte keqtrajtuar nga një bashkënxënës, informojnë nga Sektori për Punë të Brendshme.
Sipas denoncimit, bashkënxënësi shpesh e kishte ofenduar dhe përqeshur djalin e saj, ndërsa në një rast e kishte nxitur të kërcente nga dritarja e klasës.
– Gjithashtu, gruaja 35-vjeçare ka denoncuar se djali i saj e kishte informuar pedagogun e shkollës, por nuk ishte ndërmarrë asgjë, dhe as ajo nuk ishte informuar, shtojnë nga policia.
Mbi të miturin janë kryer kontrolle mjekësore në spitalin e Kumanovës dhe në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, pas secilave ai është hospitalizuar në Klinikën e Psikiatrisë.
Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.





