Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se si Lëvizje Vetëvendosje ia kanë ofruar nënshkrimet e deputetëve presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për të plotësuar kushtin për të hyrë në garë edhe për një mandat.
Por këtë ofertë sipas Nagavcit Osmani nuk e ka pranuar.
“Si Lëvizje i kemi ofruar edhe presidentes, zonjës Vjosa Osmani për kandidaturën e saj, edhe pse siç e dimë nga asnjë subjekt tjetër politik nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe kemi pas deklarata publike në këtë rast të PDK-së që nuk e mbështet Osmanin për presidente”, ka thënë Nagavci.
“Meqenëse zonja Osmani nuk e ka pranuar këtë ofertë, tani duke marrë parasysh dinamikat aktuale, edhe kohën e shkurtër, deri nesër në orën 24 për të zgjedhur presidentin, por edhe numrat e subjekteve të tjera që nuk kanë numër të mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar 30 nënshkrime, ne si VV vazhdojmë të jemi të gatshëm t’i ofrojmë nënshkrimet e deputetëve tanë për subjektet e tjera për të ofruar kandidaturat e tyre potenciale”, ka shtuar ajo në konferencë për media ta mbajtur të mërkurën.



