Kampusi i ri i UNT-së, Zekolli: E kam zemrën plot, bashkë me ekipin arritëm të sigurojmë lejen për ndërtimin e plotë

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka njoftuar se Universiteti “Nënë Tereza” ka siguruar lejen për ndërtimin e kampusit të ri universitar, njofton gjurme.info.

Sipas saj, projekti me vlerë 42 milionë euro synon krijimin e një kompleksi modern me standarde evropiane për studentët dhe stafin akademik. Ajo theksoi se ky investim pritet ta shndërrojë UNT-në në një nga qendrat universitare më moderne në rajon.

Zekolli njofton se kampusi i ri do të përfshijë amfiteatro bashkëkohore, objekte mësimore me standarde të larta, salla sportive dhe pishinë për studentët, duke krijuar një infrastrukturë të plotë universitare.

Shkrimi i plotë:

Universiteti “Nënë Tereza” me leje ndërtimi për kampusin e ri universitar. Sot e kam zemrën plot, sepse pas një angazhimi të vazhdueshëm, me përkushtimin më të madh të mundshëm si zëvendësministre e Transportit, së bashku me ekipin arritëm të sigurojmë lejen për ndërtimin e plotë të kampusit të ri universitar, i cili ka një rëndësi të veçantë për përmirësimin e kushteve, sipas standardeve evropiane, për gjeneratat e ardhshme të studentëve dhe stafit akademik.

Ky është një investim që arrin vlerën e 42 milionë eurove, ku do të përfshihet ndërtimi i një kompleksi universitar modern, amfiteatrove bashkëkohore, objekteve mësimore me standarde të larta, sallave sportive dhe pishinës për studentët. Një ekosistem i plotë ku zhvillohet mendimi kritik, profesionalizmi dhe kultura.

UNT, falë investimeve të tilla në të ardhmen do të shndërrohet në një ndër qendrat universitare më moderne në rajon.

Në këtë rrugëtim, VLEN po punon me përkushtim dhe vizion të qartë, që fëmijët tanë nesër të kenë hapësirat cilësore që meritojnë, kushte moderne dhe mundësi reale për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin tonë. Ky investim është vetëm fillimi dhe një dëshmi se angazhimi dhe përkushtimi ynë në përmirësimin e infrastrukturës arsimore do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, uroj edhe të gjithë stafin akademik të UNT-së për bashkëpunimin./gjurme.info.