Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer revizion të pasqyrave financiare të Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në llogarinë e buxhetit themelor (637), së bashku me revizion të pajtueshmërisë për vitin 2024. Është shprehur opinion i pafavorshëm lidhur me vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare dhe pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura. Me revizionin e kryer janë konstatuar gjendje që tregojnë dobësi në mënyrën e evidentimit dhe në përdorimin e mjeteve me të cilat disponon Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Revizorët kanë konstatuar se regjistrimi i mjeteve dhe detyrimeve për periudhën dhe gjendjen deri më 31.12.2024 nuk është realizuar plotësisht, me ç’rast 28% e mjeteve themelore me vlerë aktuale prej 1.565 mijë denarë gjegjësisht 25.360 euro, nuk janë gjetur gjatë regjistrimit vjetor të mjeteve themelore, ndërsa si rezultat i mungesës së praktikës për lëshimin e revereseve për ngarkimin e të punësuarve me pajisjet që u janë dhënë në përdorim, gjithashtu 30 kompjuterë portativë (laptop) nuk janë gjetur gjatë regjistrimit, transmeton Portalb.mk.
Për shtatë automjete motorike nuk është vendosur evidencë kontabël dhe materiale, ndërsa për kërkesat ndaj të punësuarve në shumën prej 2.102 mijë denarë, përkatësisht 34.000 euro, të cilat rrjedhin nga vitet e kaluara (2012–2020), Ministria nuk disponon me dokumentacion për shumën e papaguar, përkatësisht nuk dihet se cili person ka borxh dhe në çfarë shume.
Për një pjesë të gjendjeve të përmendura, pas ndryshimit të udhëheqësisë, gjatë vitit 2024 janë ndërmarrë aktivitete për tejkalimin e tyre, ndërsa për një pjesë tjetër po veprojnë edhe organe të tjera kompetente. Me revizionin e kryer të dokumentacionit për realizimin e Programit për financimin e aktiviteteve të shoqatave dhe fondacioneve për vitin 2023, sipas të cilit 33 shoqatave dhe fondacioneve u janë paguar mjete në shumën prej 19.800 mijë denarë, gjegjësisht 320.900 euro i konstatuam gjendjet në vijim:
- Programi është miratuar me vonesë, në tetor të vitit 2023, kur është shpallur edhe thirrja publike për mbështetje financiare të shoqatave dhe fondacioneve, dhe jo brenda afatit prej 30 ditësh pas miratimit të Buxhetit (,,Buxheti për vitin 2023 është miratuar më 27.12.2022’’), siç është përcaktuar me Kodin e praktikave të mira për mbështetje financiare të shoqatave të qytetarëve dhe fondacioneve;
- ndjekja e zbatimit të aktiviteteve nga Programi është obligim i njësisë për bashkëpunim me shoqata dhe fondacione, në të cilën gjatë vitit 2024, në periudhën e realizimit të programit, nga nëntë vende pune të parapara, nuk është plotësuar asnjë vend pune;
- Komisioni për ndarjen e mjeteve financiare për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve nga buxheti i Ministrisë i përbërë nga 18 anëtarë nga disa institucione shtetërore, nuk ka siguruar dokumentacion për pikëzimin e kryer të aplikacioneve nga secili anëtar i komisionit për 138 aplikacionet e paraqitura, të përfshira në Propozim-rang listën;
- shoqatat dhe fondacionet që kanë fituar të drejtën për shfrytëzimin e mjeteve nga Ministria, një pjesë të dokumentacionit e kanë dorëzuar në gjuhën shqipe, pa përkthim në gjuhën maqedonase, gjë që nuk është në përputhje me dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase;
- në pajtim me Raportin për shfrytëzimin e mjeteve të ndara dhe për rezultatet e arritura nga aktivitetet e mbështetura të shoqatave dhe fondacioneve për vitin 2023, nga gjithsej 33 shoqata dhe fondacione, 17 prej tyre, përkatësisht 51%, duhet të kthejnë mjete në Buxhetin e shtetit në shumën prej 1.225 mijë denarë, gjegjësisht 19.850 euro, për shkak se nuk kanë dorëzuar dëshmi për shpenzimin e mjeteve. Deri në ditën e revizionit, 14 shoqata kanë kthyer mjete në shumën prej 361 mijë denarë, me dy shoqata është duke u zhvilluar procedurë ndërmjetësimi për kthimin e mjeteve në shumën prej 264 mijë denarë, ndërsa për një shoqatë është iniciuar procedurë gjyqësore për kthimin e mjeteve në shumën prej 600 mijë denarë. Për pagesën e pagave dhe kompensimeve për 244 të punësuar në Ministri, janë paguar 165.010 mijë denarë, nga të cilat për 150 të punësuar sipas Nënprogramit K5 – Përfaqësim i adekuat dhe i drejtë i komuniteteve dhe si përkthyes, ose për 61% të të punësuarve, pagesa e rrogave është kryer pa u siguruar dëshmi për prezencë në punë dhe për orar të plotë pune, pavarësisht evidencës elektronike të vendosur për orarin e punës së të punësuarve.
Me Ligjin për marrjen në punë të nëpunësve administrativë të punësuar përmes Nënprogramit K5 në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, është paraparë që Ministria, pas marrjes së të punësuarve, të miratojë ndryshim të aktit për sistematizimin e vendeve të punës me qëllim harmonizimin me nevojat e Ministrisë. Aktet për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e Ministrisë, në periudhën nga miratimi i tyre në vitin 2019 e deri në vitin 2025, janë ndryshuar gjashtë herë, me pëlqime të marra. Përfundim me datën 31.12.2024, nga 2.556 vende pune të parapara janë plotësuar 244 vende pune, përkatësisht një plotësim prej 10%, për shkak të moskryerjes së harmonizimeve me dispozitat e ligjit që ndikon në vlerësimin real të kapaciteteve të nevojshme të Ministrisë.
Gjatë vitit 2025 ka filluar përgatitja e analizës funksionale si bazë për përgatitjen dhe miratimin e akteve të reja për organizimin e brendshëm dhe për sistematizimin e vendeve të punës në Ministri, e cila deri në ditën e revizionit nuk është përfunduar. Në lidhje me realizimin e kontratave për prokurime publike, revizorët kanë konstatuar se në periudhën raportuese, në emër të shpenzimeve për derivate të naftës janë paguar mjete në shumën prej 516 mijë denarë, pa u kryer kontroll i targave të automjeteve dhe i llojit të karburantit të furnizuar, për këtë arsye është mundësuar që automjete motorike që nuk janë në pronësi të Ministrisë, ose automjete për të cilat nuk ka të dhëna për numrat e regjistrimit, të furnizohen me karburant, përkatësisht të blejnë gaz të lëngshëm të naftës, i cili nuk është paraparë si lloj karburanti në kontratën e lidhur për furnizim.
Gjatë zbatimit të dy procedurave, revizorët kanë konstatuar se për çmimin e ofruar për servisimin e automjeteve prej 0,01 denar për një orë pune dhe për provizion prej 0,01% nga shuma e shërbimit hotelierik, komisionet nuk kanë kërkuar sqarim për çmimin e ofruar jashtëzakonisht të ulët. Gjithashtu, në pjesë të faturave për servisimin e automjeteve për vitin 2024 është kryer zëvendësim i pjesëve që nuk janë paraparë në listën e dokumentacionit të tenderit, për pjesë të zërave janë faturuar çmime të cilat janë disa herë më të larta se oferta e pranuar, ndërsa për shërbimet e kryera nuk janë dorëzuar urdhra pune si shtojcë e faturave.
Gjithashtu, gjatë përzgjedhjes së operatorit ekonomik më të favorshëm për furnizimin me shërbime nga një agjenci autoriale, edhe pse si kriter ishte posedimi i licencës A, B, V ose G për kryerjen e punësimeve të përkohshme, komisioni për prokurime publike nuk ka kërkuar dorëzimin e licencave të kërkuara si dëshmi për plotësimin e kushteve për pjesëmarrje në procedurën e prokurimit publik. Vlera e kontratës së lidhur është 11.800 mijë denarë.
“Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara, kemi dhënë rekomandime për ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve nga personat dhe organet kompetente, në funksion të përmirësimit të gjendjeve. Në pjesën Theksimi i çështjeve në raportin përfundimtar të revizorit janë shpalosur informacione lidhur me zvarritjen e procesit të marrjes së të punësuarve në përputhje me Ligjin për marrjen e nëpunësve administrativë të punësuar përmes programit K-5 në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, për shkak të së cilës 43 të punësuar ende nuk janë transferuar në institucione të tjera”, thuhet në raportin e Revizionit.
Në lidhje me kontrollet e brendshme, revizorët kanë konstatuar se të njëjtit nuk janë vendosur, ndërsa Ministria, gjithashtu, nuk ka zbatuar sistem të certifikuar për menaxhimin me cilësinë në përputhje me standardin ISO 9001, funksioni i revizionit të brendshëm në Ministri nuk zbatohet, për shkak se revizorët e brendshëm nuk e kanë dhënë provimin për revizor të brendshëm të autorizuar dhe nuk posedojnë përvojën e nevojshme. Më tepër, Ministria nuk ka miratuar procedura të brendshme që kanë të bëjnë me proceset e punës në kompetencë të saj, nuk janë vendosur kontrolle ex-ante dhe ex-post të transaksioneve financiare, shpenzimeve dhe të hyrave, nuk ekzistojnë kompetenca të qarta të ndara ndërmjet të punësuarve, kështu që disa detyra pune kryhen nga të njëjtat persona, ndërsa udhëheqësi i Sektorit për Çështje Financiare si person i trajnuar për kryerjen e punëve nga fusha e prokurimeve publike, ushtron punë dhe detyra edhe në pjesën e planifikimit, zbatimit dhe realizimit të prokurimeve publike.
Kujtojmë se raportet e fundit paraprake të Enti Shtetëror për Revizion mbi financimin e rregullt të partive politike nxorën në pah një sërë mangësish të përsëritura në menaxhimin financiar dhe respektimin e rregullativës ligjore. Në fokus ishin evidentimi jo i rregullt i faturave dhe donacioneve, paqartësitë në arkëtimin dhe regjistrimin e anëtarësisë si burim financimi, si dhe nevoja për rishikim të dispozitave që lejojnë përdorimin e mjeteve nga llogaria e rregullt për fushata zgjedhore. Në disa raste janë konstatuar probleme me dokumentacionin mbështetës, amortizimin e mjeteve fikse dhe statusin pronësor të pasurisë. Revizorët theksuan gjithashtu dobësi sistemore që kërkojnë ndryshime ligjore dhe plotësim të akteve nënligjore për organizatat jofitimprurëse. Numri i rekomandimeve të dhëna ndryshonte nga një parti në tjetrën, varësisht nga gjetjet konkrete.



