Farmacistja Eriona Xhaferaj rrëfeu në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN se si e përqafoi besimin Islam në moshën 14-15 vjeçare, duke treguar ndër të tjera se familja nuk e la të agjëronte vitin e parë. Ajo tregon se e pranoi Islamin, jo nga prindërit, por nga ajo që mësoi vetë, dhe për ta kjo ishte diçka e vështirë për t’u perceptuar, duke marrë parasysh që janë një brez i indoktrinuar nga regjimi komunist.
“E kam nisur 14-15 vjeçe. Familja s’më ka lënë vitin e parë të agjëroj. Familja ime nuk agjëronte, prandaj nuk më linte as mua. Duke qenë se unë e pranova Islamin, jo nga prindërit, por nga ajo që mësova vetë, dhe për prindërit kjo ishte një gjë e vështirë që nuk e perceptonin, sistemi i komunizmit i kishte indoktrinuar mjaftueshëm për të më parë mua si UFO! Sepse e shikonin si pjesë fetare, por tani të flasësh, të thuash që agjërimi është i dëmshëm, do të thotë që s’lexon fare shkencë. Tani edhe sikur mos të jesh praktikant mysliman e kupton që ky agjërimi ka një vlerë shumë të madhe. Për pak kohë e kemi pranuar njëri-tjetrin dhe e duam njëri-tjetrin kështu siç jemi. Ka pasur një periudhe para se të pranoja Islamin që më dukej jeta pa kuptim. Ky boshllëku që nuk arrija dot arsyen pse unë isha, sepse më mungonte të njihja atë që më kishte krijuar”, tha Xhaferaj. (A2 Televizion)



