Fakultet i ri i Studimeve Profesionale pranë UAMD, u shërben 1700 studentëve dhe 80 pedagogëve

Kampusi i ri i Fakultetit të Studimeve Profesionale që po ndërtohet në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, është një ndër investimet e qeverisë në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës mësimore dhe laboratorike në institucionet e arsimit të lartë.

Ky investim do të vihet në shërbim të 1700 studentëve dhe 80 pedagogëve të stafit akademik të këtij fakulteti.

Projekti parashikon ndërtimin e një godine bashkëkohore me 30 auditorë, 15 laboratorë shkencorë, salla konferencash, terrene sportive, ambiente rekreative, si edhe hapësira të gjelbra, pishinë dhe park.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Fakulteti i ri i Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, duke e cilësuar atë si një investim që kompleton mjediset akademike me 45 auditorë, 15 laboratorë, salla konferencash, terrene sportive dhe ambiente në shërbim të 1700 studentëve dhe 80 pedagogëve e stafit akademik.

“Fakulteti i ri i Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, një investim i Ministrisë së Arsimit që kompleton mjediset akademike me 45 auditorë, 15 laboratorë, salla konferencash, terrene sportive dhe ambiente në shërbim të 1700 studentëve dhe 80 pedagogëve e stafit akademik”, u shpreh Rama.

Zhvillimi i kampusit do të vijojë më tej me ndërtimin e një kompleksi rezidencial për akomodimin e studentëve që vijnë nga rrethet e tjera, duke e kthyer atë në një hapësirë të integruar universitare me standarde moderne.