Sektori për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme njofton se gjatë 24 orëve të kaluara, gjatë aktiviteteve të rregullta për monitorimin e hapësirës digjitale, është detektuar një postim në një rrjet social me përmbajtje që tregonte synim të mundshëm për vetëvrasje nga ana e një përdoruesi të mitur.
Menjëherë pas marrjes së informacioneve, u veprua me urgjencë dhe në mënyrë të koordinuar, duke ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për përcaktimin e identitetit dhe vendndodhjes së personit.
Brenda një kohe të shkurtër përdoruesi u gjet, u zhvillua një bisedë me të dhe u konstatua se personi është i sigurt dhe në gjendje të mirë. Për ngjarjen janë njoftuar edhe prindërit, të cilët janë njohur me gjendjen e plotë dhe hapat e mëtutjeshëm.
Kjo ngjarje thekson edhe një herë rëndësinë e monitorimit të kujdesshëm të sjelljes së të rinjve në hapësirën digjitale. Ju bëjmë apel prindërve të mbajnë komunikim të rregullt dhe të hapur me fëmijët e tyre, të tregojnë interes për aktivitetet e tyre në rrjetet sociale dhe të reagojnë në kohë kur vërejnë tërheqje, shqetësim, postime kërcënuese ose shqetësuese dhe sjellje të tjera të pazakonta.
Gjithashtu, u drejtojmë apel edhe miqve, shokëve të shkollës dhe të gjithë përdoruesve të rrjeteve sociale: nëse vërejnë postime me përmbajtje që lë të kuptohet vetëlëndimi, dëshpërimi apo paralajmërimi për vetëvrasje, të shfrytëzojnë menjëherë mekanizmat për raportim në vetë platformën, dhe nëse u dihet identiteti i personit, të njoftojnë prindërit, kujdestarin, mësuesin, një person tjetër të rritur ose stacionin më të afërt policor.
Reagimi në kohë mund të shpëtojë jetë njeriu. Përgjegjësia e përbashkët, vëmendja dhe kujdesi janë kyç në parandalimin e tragjedive. Sektori për Krim Kompjuterik mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e qytetarëve në hapësirën digjitale dhe do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në drejtim të zbulimit të hershëm dhe parandalimit të dukurive të rrezikshme.





