Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi në parim “bombardimin e tryezës së negociatave”. Izraeli e SHBA-ja të shtunën nisën operacionet ushtarake në Iran, gjatë të cilave u vra lideri suprem Ayetollah Ali Khamenei.
Sulmet ndaj Iranit nisën vetëm një ditë pas raundit të fundit të bisedimeve indirekte mes Iranit dhe SHBA-së në Gjenevë.
“Një marrëveshje ishte afër. Ne u larguam nga Gjeneva me mirëkuptimin se do të nënshkruanim një marrëveshje herën tjetër që do të takohemi. Ata që donin ta prishnin diplomacinë ia dolën mbanë në misionin e tyre”, ka shkruar Araghchi në platformën “X”.
Ai tha se Trumpi, “përsëri, ishte ai që urdhëroi bombardimin e tryezës së negociatave”.
Pas bisedimeve në Gjenevë të premten, delegacioni i Iranit ishte shprehur optimist, ndërsa Trump tha se “nuk ishte i kënaqur” me përparimin.
Araghchi tha se derisa janë vrarë disa prej komanduesve kryesorë, ata u zëvendësuan “në më pak se 12 orë dhe ishim në gjendje të fillonim hakmarrjen”.



