Me ardhjen e Ramazanit, qytetarët vërejnë rritje të çmimeve, gjë që thonë se i ka ngarkuar ekonomikisht. Për përgatitjen e një iftari në shtëpi, thonë se shpenzojnë minimumi 20 euro. Kostoja rritet dukshëm, nëse për iftar kanë mysafirë.
“Edhe pse qe një javë që startoj ramazani, besoni se e pash se shumë më shumë shtrenjtime ka krahasuar me vitin e kaluar. Nuk besoj se me një rrogë mesatare mund t’i dalim deri në fund ramazanin, e sidomos se i kemi traditat për të ftuar të afërmit, familjarët në iftar, pastaj tavolinat e iftarit me qenë më plot,” u shpreh një blerës.
“Sa kushton shujta e një iftari, varet prej familjes, por mesatarisht vetëm familja ndër 20 euro nuk shpëton asnjë familje, fatkeqësisht…
-Po me mysafirë?
-E ajo shkon më tepër me siguri…Ajo varet prej buxhetit familjes,” tha një tjetër blerës.
Shitësit thonë se pavarësisht çmimeve që ndikohen nga importi, me ardhjen e Ramazanit ka pasur më shumë shitje.
“ Ka lëvizje më shumë për shkak të ramazanit, por çmimet janë pothuajse të njëjta sivjet. Varet te dogana si i doganon sepse malli shumica vjen nga jashtë. Kastraveci vjen prej Greqie, domatet të Greqisë e Shqipërisë aty marrin të gjithë më të mëdhenj, kryesorët me shumicë,” u shpreh një shitës.
Realiteti ekonomik sfidon qytetarët, por tradita e iftarit dhe rëndësia e muajit të shenjtë mbeten prioritet. /alsat.mk





