“Nuk pashë asgjë, nuk bëra asgjë të gabuar”, Bill Clintoni dëshmon për Jeffrey Epsteinin

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka publikuar një deklaratë zyrtare lidhur me marrjen në pyetje para Komitetit për Mbikëqyrje të Dhomës së Përfaqësuesve. Në deklaratën e tij, Clinton ka theksuar se nuk kishte asnjë njohuri për anën e errët të jetës së Jeffrey Epsteinit.

Bill Clintoni bashkë me gruan e tij, Hillary, kanë nisur dëshminë para Komitetit në dyer të mbyllura. Republikanët kanë thënë se do ta publikojnë videon e dëshmive sonte më vonë ose nesër.

“Nuk kisha asnjë ide për krimet që ka kryer Epstein”, thuhet në reagimin e Bill Clintonit në “X”.

Ish-presidenti iu referua edhe fotografive të vjetra ku ai shihet në shoqërinë e Epsteinit, duke pretenduar se ato nuk provojnë asgjë.

“Pavarësisht sa fotografi 20-vjeçare më tregoni, dy gjëra janë më të rëndësishme se interpretimi juaj: unë e di çfarë kam parë dhe, më e rëndësishmja, çfarë nuk kam parë. E di çfarë kam bërë dhe, mbi të gjitha, çfarë nuk kam bërë. Nuk pashë asgjë dhe nuk bëra asgjë të gabuar”, ka deklaruar ai.

Clintoni u shpreh kritik edhe ndaj thirrjes për dëshmi të ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

“Po bëhem personal. E sollët Hillaryn. Ajo nuk ka pasur asgjë të bëjë me Jeffrey Epsteinin”, ka shkruar ai.

Ai përsëriti se “njohja e shkurtër” me Epsteinin kishte përfunduar vite përpara se krimet e tij të bëheshin publike, duke shtuar se dëshiron të ndihmojë hetimin, ndonëse pretendon se nuk ka parë asgjë të dyshimtë.

Hillary Clinton: Nuk mbaj mend ta kem takuar Epsteinin

Ndërkohë, Hillary Clinton i ka thënë Komitetit të Kongresit se nuk mban mend ta ketë takuar ndonjëherë Epsteinin dhe se nuk ka asnjë informacion për aktivitetet e tij kriminale.

“Nuk më kujtohet ta kem takuar zotin Epstein. Nuk kam fluturuar kurrë me avionin e tij dhe nuk kam vizituar ishullin, shtëpitë apo zyrat e tij. Nuk kam asgjë për të shtuar”, ka deklaruar ajo para Komitetit për Mbikëqyrje.

Ajo dhe bashkëshorti i saj fillimisht kishin refuzuar të dëshmonin, por ndryshuan qëndrim pasi ligjvënësit nisën procedura për shpërfillje të Kongresit.

Emri dhe fotografitë e Bill Clintonit shfaqen në dokumentet që lidhen me hetimin për Epsteinin, megjithatë ish-presidenti ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje në lidhje me njohjen me financierin.

Jeffrey Epstein drejtonte një rrjet trafikimi seksual që viktimizoi dhjetëra gra të reja dhe të mitura për vite me radhë. Financieri i njohur në qarqet e larta të shoqërisë amerikane vdiq në qelinë e tij në vitin 2019, para se të dënohej.