Shkruan: Fitim NUHIU
“Shtetet e mëdha sillen si gangsterë, gjersa shtetet e vogla si prostitutat e tyre.”
– Stanley Kubrick
Bordi i Paqes (anglisht: Board of Peace – BoP) është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në janar 2026 nga Donald Trump dhe e udhëhequr nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Qëllimi i deklaruar i organizatës është promovimi i paqeruajtjes globale, me fokus fillestar në stabilizimin, rindërtimin dhe administrimin e Rripit të Gazës pas luftës së vitit 2023-2025 mes Izraelit dhe Hamasit. Organizata përmendet në Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si organi mbikëqyrës i procesit të paqes.
Vendet e rajonit të Ballkanit ishin ndër mbështetësit e parë të nismës, duke e parë atë si forcim të aleancës strategjike me SHBA-në:
Shqipëria: Kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një ftesë personale nga Presidenti Trump për t’u bërë anëtar themelues i Bordit. Rama deklaroi se Shqipëria do të kontribuojë me “dinjitetin e saj” dhe jo financiarisht.
Kosova: Presidentja Vjosa Osmani nënshkroi kartën në Davos, duke e bërë Kosovën anëtare themeluese. Ajo e cilësoi ftesën si njohje të rëndësishme ndërkombëtare.
Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Suedinë, refuzuan të bashkohen. Arsyet kryesore përfshinin shqetësime se Bordi synon të dublojë ose të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, si dhe kritika mbi natyrën financiare të anëtarësimit të përhershëm (“pay-to-play”).
Trump mes tjerash deklaroi se: “Kombet që janë këtu sot, nuk do të mbledhin thjesht para, por disa do të dërgojnë persona për të mbikëqyrur dhe siguruar një paqe të sigurt në Gaza. Indonezia, Maroku, Shqipëria, Kosova, Kazakistani të gjithë kanë premtuar trupa dhe polici në Gaza. Mendoj që do të kemi disa njerëz shumë të mirë në atë forcë policie. Të gjitha këto vende po punojnë për një vizion që ka të bëjë me paqen në Lindjen e Mesme. Tani është koha për Iranin që të na bashkohet. Nuk duhet të bëjnë destabilitetin në rajon. Nëse nuk arrihet marrëveshja gjëra shumë të këqija do të ndodhin”.
Anëtarët e “Bordit të Paqes” janë zotuar të sigurojnë miliarda dollarë për rindërtimin e Gazës. Disa prej tyre, si Kosova dhe Shqipëria, do të dërgojnë edhe trupa si pjesë e një force stabilizuese.
Pjesëmarrja e Edi Rama dhe Vjosa Osmani në një bord ndërkombëtar të paqes u prit me interes, por edhe me skepticizëm. Në një rajon që ende bart plagë konflikti, çdo ftesë në tryeza të paqes duket si një hap pozitiv.
Nga njëra anë, prania e liderëve shqiptarë në forume të tilla forcon profilin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës. Paqja nuk është vetëm mungesë lufte, por aftësi për dialog, ndërmjetësim dhe ndërtim besimi. Në këtë kuptim, angazhimi në platforma globale i jep rajonit tonë një zë më të dëgjueshëm dhe sinjalizon gatishmëri për përgjegjësi ndërkombëtare. Nga ana tjetër, nuk munguan as kritikat se shumë prej këtyre bordeve kanë rol këshillues dhe ndikim të kufizuar praktik. Kur vendet përballen me sfida të thella të brendshme – nga ekonomia te sundimi i ligjit – pjesëmarrja në struktura simbolike rrezikon të perceptohet si diplomaci e imazhit. Pa rezultate konkrete për qytetarët, paqja e folur jashtë kufijve mund të tingëllojë bosh brenda tyre.
Vlen të ceket se gjersa në mediat në SHBA dhe në Evropë ky takim pothuajse nuk është vërejtur aq shumë, te ne zuri vend të rëndësishëm në ballinat e lajmeve dhe në çdo emision televiziv.
Deri këtu gjithçka duket shumë bukur simbolikisht, porse duke marrë parasysh luftën në Gaza dhe indiferencën e botës ndaj gjithë atyre të vrarëve e të masakruarve, ky Bord Paqeje, që synon të ndërtojë atë vend mbi varreza, pa mos çarë kokën se ç’ndodhi më parë, pa asnjë llogaridhënie, të jep përshtypjen se ky bord është themeluar si ndonjë kompani gjigande humanitare ndërtimi që synon të mbledh ca para nga vende të ndryshme (ato që s’kanë, shërbejnë me trupa fizikë) e të shkon të investojë e ta bëjnë nga zeroja atë gërmadhë gjigande që më pas ta marrin nën kontrollin e vet.
Si duket Bordi i Paqes, një forum ndërkombëtar i sapokrijuar, që në qendër të vëmendjes është presidenti i SHBA – Donald Trump, si profesionist i ‘Reality Show’, gjegjësisht ‘One Man Show’, vazhdon rrugëtimin e tij duke shfrytëzuar pozitën e tij prej lideri botëror që synon të mbërthen disa vende dhe shtete të pazhvilluara si Shqipëria, Kosova, dhe shtete të tjera autokratike, që më pas, po këto shtete t’i shfrytëzojë mish për top, për t’i dërguar për trupa sigurie shërbimi në Gazë. Siç u cek më lart, vlen kujtuar refuzimi i shumë shteteve të zhvilluara të BE-së që nuk e përkrahin këtë nismë, duke supozuar se bordi mund të jetë më shumë mekanizëm politik sesa paqësor, dhe se mund të duket si një strukturë e centralizuar me Trump-in si figurën kryesore, me pak llogaridhënie dhe se mund të minojë rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Arsyetohen këto vende, duke pasur parasysh nivelin e gjuhës së takimit, kur i tha presidentes Vjosa Osmanin se nëse s’të ecën mbarë me Serbinë, vetëm më telefono, me atë gjuhë trupi, tamam tip kauboji. Pastaj, gjersa mbahet ky event paqeje, SHBA është duke kërcënuar në vazhdimësi Iranin me luftë dhe ka rrit ndjeshëm praninë ushtarake në rajon në rast se nuk heq dorë nga programi bërthamor.
Nuk dua të shtjelloj e të analizoj thellësisht fjalimin skandaloz të Ramës në këtë forum, kur sulmoi Hamasin dhe asnjë fjalë nuk tha për agresorët – izraelitët, për ata që e realizuan po atë gjenocid dhe ato vrasje të fëmijëve të pafajshëm. Skandali nuk u ndal këtu, ai gjithashtu përzieu këtë forum të paqes me drejtësinë ndërkombëtare kur akuzoi prokurorin për çështjen e të gjykuarve në Hagë (realisht nuk përmendi emrin e Hashim Thaçit, por e nënkuptoi mirëpo të tjerët e gjykuar të UÇK nuk e pa të udhës t’i fus në këtë mes), gjë që ky ambiguitet në një tribunë të tillë, në diplomaci, zor se mund t’ia gjesh fillin. Rama aty fliste për përfaqësimin e Kosovës e jo për shtetin e vet përfaqësues, gjë e papranueshme ndërkombëtarisht. Por, neve shqiptarëve, na mjaftoi, na mbushi ekranin e televizorit, kur shtrënguan duart me njeriun më të “fortë” të globit e kur ia pamë gjuhën e trupit të liderit tonë “kombëtar”, për një çast na u duk sikur edhe ne tashmë komandojmë një superfuqi botërore.
Në thelb, vlera e këtij angazhimi nuk matet me ftesën, por me pasojat. Nëse prania në bordin e paqes përkthehet në mbështetje politike, investime, njohje ndërkombëtare dhe stabilitet rajonal, atëherë është një hap i mençur. Nëse jo, mbetet një kapitull i bukur në CV-të politike, por i varfër në dobinë publike qytetare. Më vonë, kjo pjesëmarrje e Shqipërisë dhe e Kosovës në këtë bord, mund të nxjerr probleme dhe të paguhet kosto e lartë, sepse duket që është kundër frymës së BE-së dhe BE-ja këtë organizëm e percepton si rivalitet që po i bëhet OKB, kur realisht dihet se ne synimet dhe rrugët tona i kemi të nisura tash e ca dekada për në BE dhe kemi po aq lidhshmëri me këtë Organizëm Ndërkombëtar.
Dhashtë Zoti që ky mekanizëm ndërkombëtar “Bordi i Paqës” të mos na përfundojë si Bord i “Paçës”, dhe shpresojmë se kjo aventurë e një lideri si Trampi, sa karakteristik aq edhe i paprecedentë, të mos jetë një ftesë që vetëm i ka ftuar për të drekuar e për të ngrënë një paçë, që më vonë mund t’ia djegë buzët të ftuarve, sepse ne jemi të parët dhe shquhemi për nisma të tilla globale, iu përgjigjemi ftesës së të fortëve kur të na ftojnë, dhe nuk çajmë kokën fare e nuk analizojmë, pavarësisht kostos, sepse akoma gjallojmë ato thëniet se “nëse nuk je në tavolinën e të fortit, atëherë je në menu”.
*Paça është një gatim tradicional i kuzhinës shqiptare dhe ballkanike, i përgatitur zakonisht nga koka ose këmbët e deles apo viçit, të ziera ngadalë derisa të krijohet një supë e trashë dhe xhelatinoze.
Burimi:
“Trump letër Osmanit, e fton Republikën e Kosovës të bëhet shtet themelues i Kartës së Bordit të Paqes”. Gazeta Express. 21 janar 2026.
“France rejects Trump Gaza peace board invite over fears it wants to supplant UN”. Politico (në anglisht). 19 janar 2026.
Gazeta Tema



