Zelensky: Putini s’i ka arritur qëllimet. Nuk e ka thyer Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Vladimir Putini i Rusisë ka dështuar që ta thyejë Ukrainën kur e ka nisur pushtimin katër vjet më parë.

“Sot bëhen fiks katër vjet qëkur Putini e nisi shtytjen e tij treditëshe për ta marrë Kievin”, ka shkruar ai në një mesazh në Telegram. “Dhe kjo do të thotë shumë për rezistencën tonë, për mënyrën se si Ukraina ka luftuar gjatë gjithë kësaj kohe”.

Zelensky ka thënë se prapa këtyre fjalëve “qëndrojnë miliona njerëz, guxim, punë e pareshtur, këmbëngulje e rruga e gjatë që Ukraina e ka bërë që prej 24 shkurtit 2022”.

“Duke kthyer kohën pas në fillim të sulmit dhe duke reflektuar mbi të sot, ne kemi të drejtë të themi: Ne e kemi mbrojtur pavarësinë tonë, nuk e kemi dorëzuar shtetësinë. Putini s’ia ka arritur qëllimet. Ai nuk i ka thyer ukrainasit. Ai nuk e ka fituar këtë luftë”, ka shtuar Zelensky.