VLEN: BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi

Nga koalicioni VLEN kanë reaguar pas ndalimit të Artan Grubit në pikën kufitare të Bllacës, përcjell TV21. Koalicioni thotë se “BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi”.

“Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por cilin do ta ngreh me vehte, mbetet për t’u parë”, thonë nga VLEN.