Ukraina po përballet me një nga krizat më të rënda demografike në botë, ndërsa numri i lindjeve ka rënë nën një fëmijë për grua. Miliona refugjatë janë vendosur jashtë vendit dhe dhjetëra mijëra ushtarë kanë humbur jetën në front. Stresi i luftës po ndikon drejtpërdrejt edhe në fertilitetin e grave dhe burrave. Në një vend që po humb popullsinë me ritme alarmante, shumë gra po luftojnë mes dhimbjes, humbjes dhe shpresës për të sjellë jetë të re.
CNN – Olena Bilozerska dhe bashkëshorti i saj gjithmonë e dinin se donin të kishin fëmijë. Kur nisi lufta në lindje të Ukrainës në 2014, Olena ishte 34 vjeç dhe ata ishin gati të fillonin përpjekjet për të pasur fëmijë. Por ata u bashkuan me forcat ushtarake dhe vendosën që të shtynin këtë plan.
Kur Olena u largua nga ushtria, ishte 41 vjeç dhe mjekët i thanë se shanset për të mbetur shtatzënë ishin shumë të ulëta. Për shumë gra në Ukrainë, lufta ka bërë që vendimi për të pasur fëmijë të shtyhet, shpesh me kosto të madhe për shëndetin riprodhues.
Ekspertët paralajmërojnë për një nga krizat më të rëndë demografike në botë.
Demografja ukrainase Ella Libanova, tha për CNN se kjo është një katastrofë që po i ndodhë vendit.
“Është katastrofë. Asnjë vend nuk mund të ekzistojë pa njerëz. Ukraina ka humbur rreth 10 milionë njerëz që nga fillimi i luftës – të vrarë, të larguar nga vendi ose që jetojnë nën okupim rus”, ka thënë ajo.
Bilozerska vendosi të fillojë trajtim fertiliteti pas luftës, pavarësisht shanseve shumë të ulëta. Mjekët arritën të merrnin vetëm një vezë për procedurën IVF, duke paralajmëruar se shanset për sukses ishin minimale. Kur vezët u fekonduan me spermën e bashkëshortit, rreziku mbetej i madh.
Në momentin kur embrioni ishte gati “për t’u mbjellë”, Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës. Olena u detyrua të kthehej në front, ndërsa embrioni mbeti e ngrirë në një kriobankë në Klinikën Nadiya (Shpresë), e mbrojtur nga muri i forcuar i klinikës.
Valery Zukin, drejtori i klinikës, tha se lufta ka pasur ndikim të madh në fertilitetin e ukrainasve
“Po shoh më shumë komplikime, më shumë anomali, më shumë vështirësi për të mbajtur shtatzëninë deri në fund. Testimet gjenetike kanë treguar rritje të ndjeshme të anomalive kromozomiale që nga fillimi i luftës”, ka thënë ai.
Lufta ka bërë që miliona ukrainas të shtyjnë vendime për familjen dhe ka shkaktuar rënie të ndjeshme të lindjeve, duke e kthyer këtë krizë në një problem kombëtar me pasoja afatgjata.
Alla Baranenko, specialiste e riprodhimit në klinikën Nadiya, tha se po sheh gjithnjë e më shumë raste të menopauzës së parakohshme te gratë e reja.
“Cilësia e vezëve është më e ulët dhe numri i tyre po zvogëlohet – kjo për shkak të stresit. Nuk janë vetëm pacientet e mia, por edhe dhurueset e vezëve, që nuk kanë probleme riprodhuese. Cilësia e vezëve të tyre gjithsesi është më e dobët.”
Ajo shtoi se cilësia e spermës së burrave ukrainas, sidomos atyre që kthehen nga fronti, është gjithashtu më e dobët.
“Kemi ruajtur spermë për 30 vjet. Kur krahasojmë spermën e ushtarëve tani me atë të burrave të zakonshëm para luftës, sigurisht që është më e dobët. Stresi ndikon tek burrat, por ndikojnë edhe kushtet e jetesës.”
Iryna Ivanova zbuloi se ishte shtatzënë, por nuk donte t’ia thoshte menjëherë burrit, Pavlo Ivanov, një pilot elitar F-16, për të mos e dëshpëruar në rast se do të ishte lajmi i rremë. Kur u sigurua për shtatzëninë, Pavlo ishte vrarë në detyrë më 12 prill 2025.
Kur vajza e saj lindi në dhjetor, Ivanova e quajti Yustyna, emri që çifti kishte zgjedhur së bashku. Ajo trashëgoi sytë blu të Pavlos dhe qetësinë e tij.
“Kur e dëgjova të qante për herë të parë, ishte sikur fillova të marr frymë,” tha Ivanova, me lot në sy. “Mund të ndjesh gëzimin më të madh dhe dhimbjen më të madhe njëkohësisht, dhe mësohesh që kjo të bëhet pjesë e jetës tënde”.
Raporte të jashtme, si nga Center for Strategic and International Studies në SHBA, vlerësojnë se që nga pushtimi i plotë i Ukrainës katër vjet më parë janë vrarë midis 100,000 dhe 140,000 ukrainas.
Shumica e ushtarëve ukrainas janë të martuar dhe me fëmijë, duke bërë që vendi të kthehet në një “vend të ve” me shumë gra të moshuara dhe fëmijë jetimë. Statistikat zyrtare tregojnë se tani 59,000 fëmijë jetojnë pa prindërit e tyre biologjikë, shumica në familje kujdestare.Oksana Borkun (center) and her two friends Juliia Seliutina (left) and Olena Biletska meet at a cafe in Kyiv.Përpjekjet për të mbështetur vejat
Oksana Borkun, e cila humbi burrin e saj Volodymyr Hunko në Bakhmut në 2022, punon për të ndihmuar vejat e reja në Ukrainë. Ajo dhe dy shoqet e saj, Juliia Seliutina dhe Olena Biletska, ndajnë historitë e tyre në një kafene në qendër të Kievit, ndërsa gjeneratori i kafenesë punon për shkak të shkatërrimeve të infrastrukturës energjetike nga Rusia.
Tre gra, të gjitha veje, u takuan përmes dhimbjes së përbashkët dhe dëshirës për të ndihmuar të tjerët në të njëjtën situatë. Grupi i tyre online për vejat e burrave ushtarë ka më shumë se 6,000 anëtarë, dhe ato organizojnë takime, mbrëmje përkujtimore dhe aktivitete të tjera.
Oksana Borkun është forca kryesore pas këtyre projekteve, duke përfshirë një iniciativë për të sjellë dhurata ditëlindjeje për fëmijët e ushtarëve të rënë.
“Unë dhe burri im nuk patëm fëmijë. Por ky projekt më ndihmoi të shërohesha”, ka thënë ajo.
Olena Bilozerska, e cila gjithashtu luftoi në front, kishte ruajtur embrionin e saj të ngrirë në klinikën Nadiya për tre vjet. Kur më në fund u kthye në Kyiv dhe e mbolli embrionin, ajo lindi Pavlusin në moshën 46-vjeçare.
“Ndjeva që kjo ishte shansi im i fundit për të pasur një fëmijë. Pavlus lindi dhe ishte mrekullia ime,” tha Bilozerska, duke përshkruar momentin me emocion.
Dr. Alla Baranenko, që e trajtoi, tha se historia e Bilozerskës e ka prekur më shumë se çdo rast tjetër në karrierën e saj 20-vjeçare, gjatë së cilës ka ndihmuar në lindjen e 5,000 fëmijëve.
“Pavlus ka emrin e mesëm Bohdan, që do të thotë ‘dhuratë nga Zoti’. Kur e mban në duar, është e pamundur të përshkruash emocionin.”



