Siljanovska-Davkova: Qytetarëve në RMV nuk u duhen kërkimfalje, por zgjidhje në kohë për të zhbllokuar eurointegrimet

Jemi të lodhur duke dëgjuar kërkimfaljet e ish-zyrtarëve dhe politikanëve evropianë për mënyrën se si u trajtuam padrejtësisht gjatë kohës së tyre. Qytetarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë për mëshirë dhe falje post-festum, por zgjidhje në kohë dhe paraprake për të zhbllokuar integrimin tonë evropian. Qytetarët tanë e kanë merituar prej kohësh të jenë qytetarë evropianë. Vetëm në këtë mënyrë Unioni do ta pastrojë ndërgjegjen e tij ndaj qytetarëve të Maqedonisl dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Këtë e theksoi Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në hapjen e Konferencës ndërkombëtare të unionit Pan-evropian të Maqedonisë, e cila u mbajt mbrëmë në kabinetin e saj para përfaqësuesve të Unioneve Pan-Evropiane të Maqedonisë dhe Austrisë, Fondacionit Otto von Habsburg dhe Institutit të rajoneve të Evropës nga Salzburgu.

Ajo theksoi se integrimi evropian i Maqedonisë ka ndodhur për shumë kohë në kushte bllokadash dhe kushtesh të padrejta, të cilat nuk vlejnë për asnjë vend tjetër kandidat.

Duke iu referuar rrethanave aktuale gjeopolitike, presidentja tha se Unioni nuk duhet të lejojë krijimin e barrierave të reja ideologjike dhe politike, të cilat e mbajnë rajonin në gjendje pasigurie dhe e bëjnë atë të ndjeshëm ndaj ndikimit nga aktorë të tretë. Ajo shtoi se zgjerimi i ngadalësuar krijon rreziqe jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për sigurinë evropiane.

“Mesazhi ynë është i qartë. Evropa nuk mund të jetë plotësisht e sigurt për sa kohë që Ballkani Perëndimor është jashtë Bashkimit Evropian. Pikat tona të cenueshme janë pikat e cenueshme të Evropës”, ​​tha Siljanovska-Davkova.

Presidentja kujtoi përpjekjet e gjata të vendit – 25 vjet të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, 21 vjet status kandidati, raportet pozitive nga Komisioni Evropian, përputhshmëria me legjislacionin evropian dhe përputhshmëria e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së – duke theksuar se, pavarësisht kompromiseve të shumta, vendi mbetet i bllokuar.

“Në vend të t. Godo, i cili nuk do të vijë kurrë, na duhet një z. Evropë ose znj. Evropë e re, një burrë ose grua e re panevropiane që do të përfundojë vizionin e filluar më shumë se një shekull më parë”, tha ajo, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së të pranishëm të vazhdojnë të mbështesin perspektivën evropiane të Maqedonisë.

Ambasadori austriak në Maqedoninë e Veriut, Martin Palmer, në fjalimin e tij, trajtoi sfidat e zgjerimit dhe nevojën për përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë si në Union ashtu edhe midis vendeve kandidate.

“Kjo konferencë përfaqëson fillimin e së ardhmes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, këtë herë të dedikuar sfidave globale që mund të lindin, për të na përqendruar në domosdoshmërinë për të ecur përpara në të dyja anët – midis shteteve anëtare, por edhe midis kandidatëve”, tha Palmer.

Ai përshëndeti dinamikën e pranimit të Malit të Zi, duke vlerësuar se do të jetë shteti anëtar i ardhshëm i BE-së, por shtoi se i gjithë rajoni ende përballet me një “proces të papërfunduar dhe të paplotë”.

Ambasadori theksoi se ka dobësi strukturore si në Union ashtu edhe në vendet kandidate.

“Ekziston një shprehje, Evropa dëshiron të zgjerohet, dhe ju doni të reformoheni – por kjo formulë është e vështirë për t’u përmbushur nga të dyja palët”, tha Pammer, raporton MIA.

Ambasadori paralajmëroi se kushtëzimi i tepërt politik nga shtetet anëtare individuale dhe “bilateralizimi iracional” dëmtojnë thelbin e projektit evropian.

Ai shtoi se Austria ka qenë një mbështetëse e gjatë dhe e sinqertë e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe i uroi vendit suksese në procesin e reformave.

Presidenti i Unionit Pan-Evropian të Maqedonisë, Andrej Lepavcov, tha në hapje të konferencës se ky vit pritet të jetë një nga më dinamikët në aspektin e integrimit evropian, me aktivitete të intensifikuara dhe interes në rritje nga partnerët evropianë, por edhe me shumë pyetje të hapura në lidhje me modelin e ardhshëm të zgjerimit.

Kujtojmë se, lidhur me anëtarësimin në BE, kryeministri Hristijan Mickoski duket se ka ndryshuar qëndrim: nga një person që nuk pranonte ndryshime kushtetuese pa garanci të qarta, në një që tashmë shprehet më lehtësisht se ato janë të domosdoshme. Në një paraqitje në TV Kanal 5, ai tha se ekziston një mundësi që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e bllokut, por pa të drejtë vote, gjë që do të ndodhte në vitin 2027, si pjesë e një skenari që lidhet me planin e paqes për Ukrainën. Deklarata e kryeministrit vjen një ditë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se pajtohet që Serbia të bëhet pjesë e BE-së pa të drejtë vote.

Kur u pyet nëse kushtet përfshijnë ndryshime kushtetuese, ai tha se “supozon se do të jetë kështu, sepse kjo u miratua nga qeveria e mëparshme”.

Deklaratat e tilla përbëjnë ndryshim drastik të qëndrimit të kryeministrit. Jo më larg se më 5 shkurt, kryeministri Hristijan Mickoski në RTVM tha se qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndërkohë, qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe.