Ministri kanadez: Konfirmohet se tarifat e Trumpit ishin të padrejta

Ministri kanadez për tregtinë me SHBA, Dominic LeBlanc, deklaroi se vendimi i Gjykatës së Lartë ka forcuar më tej qëndrimin e vendit të tij se ishin “të padrejta” tarifat e vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Megjithatë, ai shtoi se ende ka punë për të bërë lidhur me tarifat sektorale në industrinë automobilistike, si dhe në çelik dhe alumini, të cilat kanë lënë pasoja në këto sektorë.

Ai përmendi gjithashtu rishikimin e USMCA-së, e njohur në Kanada si CUSMA, marrëveshjes tregtare trepalëshe midis SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, duke thënë se “po punojmë për krijimin e rritjes dhe mundësive nga të dyja anët e kufirit, duke forcuar bashkëpunimin me partnerë tregtarë dhe aleatë të besueshëm në mbarë botën”.

Administrata e Trump ka paralajmëruar se po shqyrton mundësinë e heqjes së kësaj marrëveshjeje, e cila ka qenë në fuqi në një formë apo tjetër që nga fillimi i viteve ’90, dhe u ribisedua gjatë mandatit të parë të Trumpit, dhe se ajo mund të zëvendësohet me marrëveshje të veçanta me fqinjët e saj veriorë dhe jugorë.

Ndryshe, Gjykata e Lartë njoftoi se fuqia emergjente mbi të cilën u mbështet lideri amerikan për të imponuar tarifat “nuk mjafton” për të justifikuar vendosjen e tyre sipas përmasës dhe qëllimit që ata kishin, raporton bbc.

Gjykata e konsideroi këtë një shkelje të kufizimeve ligjore që ndahen midis pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, sipas Kushtetutës së SHBA-së.

Si rezultat, shumica e tarifave të vendosura nën këtë ligj emergjent tani mund të shpallen të paligjshme, dhe kompanitë që paguan këto tarifa mund të kërkojnë rimbursime për shumën e paguar gjatë periudhës që ato ishin në fuqi.