Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) ka hapur hetim kundër gjashtë personave me dyshim të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale të “Prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”. Hetimi bazohet në dokumentet e ofruara nga Ministria e Brendshme, si dhe në ndihmën ligjore ndërkombëtare nga Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar të Republikës së Serbisë, transmeton Portalb.mk.
Sipas urdhrit për kryerjen e hetimit, të dyshuarit, së bashku me individë të tjerë aktualisht të paidentifikuar, bashkuan forcat në periudhën nga viti 2025 deri në janar 2026 me qëllim shitjen e paautorizuar të kokainës dhe marihuanës. Secili prej tyre kishte një rol të përcaktuar qartë në blerjen, posedimin dhe transferimin e drogave narkotike.
“Dy nga të dyshuarit, për të cilët prokuroria serbe po zhvillon procedura, pas një marrëveshjeje paraprake me të dyshuarin e parë, pronarin e një personi juridik në Shkup, organizuan blerjen dhe transportimin e shumëfishtë të marijuanës nga Maqedonia e Veriut në Serbi. Në dhjetor të vitit të kaluar, i dyshuari i parë dha udhëzime për paketimin e 8.832 kilogramëve lule kanabisi të tharë në mbi 200 kuti. Kutitë më pas u ngarkuan në automjete dhe më 13 janar të këtij viti u transferuan në një vendndodhje në zonën e Shën Nikollës. Të nesërmen, droga u transferua në një objekt në Krushevac, Republika e Serbisë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Më 14 janar, në orën 03:41, kamioni doli nga autostrada dhe u drejtua drejt fshatit Konjuh, ku, së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, kutitë me drogë narkotike, marijuanë, u shkarkuan në një objekt të një personi juridik nga Krushevaci, të siguruar paraprakisht nga të dyshuarit për të cilët Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar e Republikës së Serbisë po zhvillon hetim.
“Prokurori Publik vlerësoi se ekzistojnë rrethana që tregojnë se në këtë rast konkret qëllimi i paraburgimit nuk mund të arrihet me asnjë masë tjetër për të siguruar praninë, prandaj i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup të nxjerrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për dy të dyshuarit, të cilëve u është caktuar paraburgim për një periudhë të shkurtër kohore”, thuhet në njoftim.
Ndryshe nga prokuroria, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi mbrëmë në një paraqitje televizive në TV 21 se janë ngritur kallëzime penale kundër dhjetë personave të dyshuar për lidhje me prodhimin dhe shpërndarjen e paligjshme të drogave narkotike, si pjesë e hetimit në lidhje me 40 tonët kanabis të sekuestruar.
Ministria e Brendshme më 7 shkurt, informoi se është duke u zhvilluar një aksion në shkallë të gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marihuane. Rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1,300 shishe vaj kanabisi të prodhuar (gjysmëprodukt) u gjetën dhe u sekuestruan nga një person juridik në Shkup. Mbi 31 ton marihuanë dhe biomasë u sekuestruan nga persona juridikë në rajonin lindor.





