Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve shkel shqipen

Shkruan: Sefer TAHIRI

Në vitin 1998, Partia Demokratike Shqiptare doli me parullën historike “Shqip dhe vetëm shqip”! Kjo parullë nuk arrinte të gjejë zbatim, por pas luftës së vitit 2001 nisi të gjejë mbështetje institucionale. Ishte e pritur që ky proces do ec me hapa të ngadalshëm, pasi rezistenca nga pala maqedonase, qoftë politike, qoftë akademike-intelektuale, por edhe mediatike ishte tepër e madhe.

Këtyre ditëve, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, tashmë duke jetuar në një dimension tjetër politik, social dhe natyrshëm edhe kohor, sikur po e brohorasin këtë parullë, e cila ishte menduar nga Arbën Xhaferi, si tentim për ta jetësuar përkufizimin normativ-juridik për shqipen zyrtare, si pararendëse e etablimit dhe me këtë korrigjimit të statusit të shqiptarëve ndër dekada.

Pasi provimit të jurisprudencës po i shihet zgjidhja, pasi lejen e dha kryeministri Mickoski, pra ka dritë në fund të tunelit, një segment tjetër i rëndësishëm, është njëra nga hallkat thelbësore të sistemit juridik- trajnimi apo avancimi teorik dhe praktik i atyre që do ta mbajnë çekanin e drejtësisë, gjykatësve dhe prokurorëve. Ka të ngjarë që shpesh ky çekan tu mbetet në dorë, sepse drejtësia apo më saktë thënë zbatimi i së drejtës në vendin ende mbetet ideal!

Është Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publik, e cila synon që përmes trajnimit profesional që ofron, të luajë një rol të rëndësishëm në përforcimin e pavarësisë dhe profesionalizmit të institucioneve në sistemin juridik.

Por kjo Akademi, e themeluar në vitin 2006, trajnon vetëm maqedonisht. Kjo vlen për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike. Edhe për shqiptarët që kryejnë studimet për drejtësi në gjuhën shqipe. Edhe pas miratimit të Ligjit të Gjuhëve në janar të vitit 2018, me të cilin shqipja merr trajta të konsiderueshme zyrtare në institucionet e shtetit, kjo Akademi nuk ka ndryshuar fare qasjen e saj.

Ndonëse kur hapni faqen e saj në internet, gjuha shqipe përdoret në ballinën e saj, por fatkeqësisht vetëm në të. Të gjitha aktet juridike janë të publikuara vetëm në maqedonisht. Njësoj edhe kur kërkoni të shkoni tek programi i punës ose struktura organizative e këtij institucioni.

Përtej horizontit simbolik publik, shqipja nuk gjen zbatim që në procesin e selektimit të kandidatëve që hyjnë në këtë Akademi, pra që në provim pranues. Në shqip nuk realizohet as testimi kualifikues, i cili përmban 100 pyetje nga fushat e ndryshme juridike dhe nga fusha e së drejtës globale:

– 20 nga fusha e së drejtës penale

– 20 nga fusha e së drejtës civile;

– 15 nga e drejta ndërkombëtare;

– 15 nga e drejta e Bashkimin Evropian;

– 10 nga e fusha e së drejtës tregtare;

– 10 nga ajo e së drejtës kushtetuese dhe

– 10 nga fusha e drejtës administrative.

Edhe testimi psikologjik dhe ai i integritetit realizohen në maqedonisht, njësoj si edhe provimi në pjesën praktike dhe atë shprehëse ose verbale, i cili përfshin trajtimin dhe shpjegimin e një rasti studimor, rreth së cilit kandidatit i shtrohen tetë pyetje.

Fakti që provimet janë mbajtur dhe mbahen vetëm në maqedonisht, me siguri ka ndikuar që përqindja e kandidatëve të pranuar shqiptarë në gjykata dhe prokurori të jetë i vogël. Meritokraci po, por edhe përfaqësim adekuat patjetër se po!

Edhe sa i përket përfaqësimit në institucion, gjendja nuk është pozitive! Në Këshillin Programor, nga 15 anëtarë dhe zëvendësanëtarë, tre janë shqiptarë përkatësisht 20 për qind. Është ky organ që merret me përcaktimin e konditave themelore të programeve apo kurrikulave për trajnim dhe kriteret për përzgjedhjen e trajnuesve (profesorëve universitarë, gjykatësve, prokurorëve dhe ekspertë tjerë).

Në këtë Akademi, përfaqësimi i të punësuarve shqiptarë është vetëm 14 për qind, edhe pse numri i shqiptarëve në vend është 29.52 për qind. Nga 21 të punësuar, vetëm tre janë shqiptarë. Vetëm një shqiptare është këshilltare, njëra është bashkëpunëtore dhe tjetra bashkëpunëtore e re. Nuk ka as këshilltar shtetëror dhe as udhëheqës sektori shqiptar. Përfaqësim minor, që shkel parimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe që mbi të gjitha flet për mendësinë e një pjese të institucioneve dhe drejtuesve të tyre, të cilët assesi të pajtohen me realitetin post Marrëveshjes së Ohrit.

Siç evidentuam me fakte dhe argumente, sa i përket provimit të jurisprudencës përgjegjësia u takon të gjitha partive shqiptare, të cilat disa më tepër, siç është Bashkimi Demokratik për Integrim e disa tjera më pak, kanë qenë pjesë e pushtetit, në kombinime të ndryshme, herë me BDI-në e herë pa të, siç është tani.

Që fajin nuk na e ka gjithmonë pala maqedonase, flet fakti që Akademia funksionon si institucion njëgjuhësor në një shtet, i cili në aspektin normativ-juridik dhe praktikisht funksionin si dygjuhësor. Kjo ndodh që nga viti 2006, periudhë kur partitë shqiptare janë pjesë e pushtetit, pa asnjë shkëputje. Më shumë e pabesueshme është se si është lënë kjo akademi pa gjuhë shqipe dhe me aq pak shqiptarë, kur dihet se nga viti 2006, shtatë ministra të Drejtësisë kanë qenë shqiptarë!

Meqë Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve vetë proklamon se misioni i saj është afirmimi i parimit të sundimit të së drejtës dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, duhet të sigurojë drejtësi për shqiptarët. Në fakt vetëm duhet të zbatojë Kushtetutën, e cila garanton përfaqësim shqiptar dhe përdorim zyrtar të shqipes.