Jurisprudenca: Studentët takuan euroambasadorin i cili më herët porositi që çështja mos të politizohet

Studentët të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në shqip krahas maqedonishtes kanë takuar ambasadorin e Bashkimit Evropian, Mihailis Rokas, të cilit ia kanë shprehur shqetësimin e tyre, raporton Portalb.mk.

Nismëtari i iniciativës, Mevlan Ademi tha se ngritën shqetësimin tonë për diskriminimin gjuhësor dhe pengesat për të hyrë në provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“Theksuam qartë se çdo praktikë që kufizon të drejtën për arsim dhe profesion në gjuhën amtare bie ndesh me parimet themelore të barazisë, mosdiskriminimit dhe sundimit të ligjit”, tha Ademi.

Euroambasadori Mihailis Rokas është i njoftuar me këtë çështje, pasi ditë më parë ai porositi që çështja mos të politizohet dhe të ketë dialog gjithëpërfshirës.

“Jemi në dijeni për këtë çështje, e cila ka marrë shumë vëmendje gjatë ditëve të fundit. Natyrisht, Kushtetuta dhe legjislacioni kombëtar duhet të shqyrtohen dhe, kur lindin çështje të tilla, është thelbësore të zhvillohet dialog gjithëpërfshirës me të gjitha palët e përfshira, mundësisht pa politizim”, tha Rokas.

Studentët së fundmi kanë pasr takime të ndryshme me përfaqësues politikë, institucione dhe ndërkombëtarë lidhur me provimin e jurisprudencës.

Çështja e provimit të jursprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe ditëve të fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Pas kësaj ka pasur reagime dhe përplasje të shumta politike.

BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët kanë kritikuar qeverinë, BDI madje dorëzoi edhe propozim-ligj, ndërkaq VLEN në pushtet premtoi se do ta zgjidhin këtë çështje. LSDM-ja tha se e përkrah që provimi të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë mbeti e qëndrimit se provimi nuk mund të mbahet në shqip.

Kryeministri tha se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip ndërsa më pas më pas tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut.

Pati përplasje edhe midis zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe ministrit të Drejtësisë Igor fillkov.

Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet.

Ndërkohë, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.