Merz: Rusia ka rënë në barbarinë më të thellë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka bërë një deklaratë të ashpër ndaj Rusisë, duke thënë se vendi është zhytur në “barbarinë më të thellë” dhe se udhëheqja aktuale ruse nuk mund të ekzistojë pa luftë.

Sipas tij, sistemi politik në Moskë është ndërtuar në mënyrë të tillë që konflikti i vazhdueshëm shërben si mjet për ruajtjen e pushtetit dhe kontrollit të brendshëm.

Merz theksoi se çdo përpjekje për negociata me presidentin rus, Vladimir Putin do të ishte e kotë, pasi, sipas vlerësimit të tij, Kremlini nuk ka interes real për një zgjidhje paqësore. Ai argumentoi se lufta është bërë pjesë thelbësore e strategjisë politike dhe ekonomike të Rusisë, duke e kthyer atë në një mekanizëm të përhershëm funksionimi të shtetit.

Një nga arsyet kryesore pse, sipas Merz, Rusia nuk mund të ndalë konfliktin është mungesa e një plani për qindra mijëra ushtarë që do të ktheheshin nga fronti. Ai paralajmëroi se rikthimi masiv i trupave në jetën civile do të krijonte tensione të mëdha sociale dhe ekonomike brenda vendit. Për këtë arsye, tha ai, Kremlini ka interes ta mbajë të aktivizuar makinerinë e luftës.

Sipas kancelarit gjerman, përfundimi i luftës nuk do të vijë përmes dialogut diplomatik në rrethanat aktuale, por vetëm atëherë kur njëra palë të arrijë pikën e rraskapitjes – qoftë në aspektin ushtarak, qoftë në atë ekonomik. Ai theksoi se sanksionet dhe presioni ndërkombëtar mund të luajnë rol të rëndësishëm në këtë proces.

Në fund, Merz u shpreh se normalizimi i marrëdhënieve me Moskën në të ardhmen e afërt është pothuajse i pamundur. Sipas tij, për sa kohë që politika ruse mbetet e orientuar drejt agresionit dhe përshkallëzimit, Evropa duhet të përgatitet për një periudhë të gjatë tensioni dhe pasigurie në kontinent.