Maqedonia nis procedurat për linjë ajrore direkte me Arabinë Saudite

Nga Ministria e Transportit njoftojnë se kanë nisur procedurën për nënshkrimin e Marrëveshjes për Transportin Ajror me Mbretërinë e Arabisë Saudite, përcjell TV21. Nga Ministria thonë se qëllimi i marrëveshjes është krijimi i një kornize ligjore që do të mundësojë hapjen e linjave ajrore të rregullta mes Maqedonisë dhe Arabisë Saudite.

“Duam të theksojmë se deri më tani, nuk ka pasur transport ajror ndërmjet të dy vendeve. Marrëveshja krijon kushte liberale dhe fer për veprimtarinë e operatorëve ajrorë, duke nxitur konkurrencën, uljen e çmimeve për udhëtarët, si dhe mundësinë për ofrimin e shërbimeve të reja dhe më cilësore. Në të njëjtën kohë, Marrëveshja garanton nivelin më të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes në transportin ajror, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Maqedonia dhe Arabia Saudite mbajnë marrëdhënie miqësore, me angazhim të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, rritjen e investimeve, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët”, thonë nga Ministria e Transportit.

Nga MT thonë se pritet që krijimi i linjave ajrore të rregullta mes të dy vendeve të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, shkëmbimit tregtar dhe marrëdhënieve bilaterale në përgjithësi.